Përjashtimi i Raheem Sterling nga skuadra e Chelsea për ndeshjen kundër Manchester City, e vlefshme për debutimin e sezonit të ri të Premier League, ka shkaktuar shumë diskutime në Angli. “Ishte një vendim taktik, asgjë më shumë. E kam pasur të qartë, është një vendim taktik,” përsëriti trajneri i ‘bluve’ Maresca, pas humbjes ndaj Man City.
Megjithatë, duket se merkatoja është në qendër të kësaj lëvizjeje. Sipas raportimeve nga “Mirror”, Chelsea i ka bërë të ditur lojtarit se janë në kërkim të një destinacioni të ri për të. Nga ana tjetër, blutë janë të mbipopulluar në sulm, rroga e Sterling është e lartë dhe ata dëshirojnë ta shesin. Rio Ferdinand, ish-kapiten i Manchester United, ka komentuar: “Ky është trajtim i egër i Chelsea ndaj tij. Për çfarë arsye? Për të krijuar probleme në dhomën e zhveshjes?”
Këto komente reflektohen edhe në situatën e Romelu Lukaku, një tjetër lojtar që duket i tepërt për Chelsea. Qendërsulmuesi belg, i cili pret që Napoli të “heqë qafe” Victor Osimhen për t’u rikthyer nën urdhrat e Antonio Conte, ka pëlqyer komentet e Rio Ferdinand në rrjetet sociale. Edhe pse ndoshta nuk ka shumë rëndësi, është e qartë se Lukaku është dërguar në rezervat për të stërvitur. /Telesport.al/