Përgjegjësja e filmit “Rust” për armët akuzohet për manipulim të provave

Mbikëqyrësja e armëve e akuzuar për vrasje të pavullnetshme lidhur me vdekjen e një kineasteje në xhirimet e filmit “Rust”, është akuzuar për manipulim të provave.

Hannah Gutierrez-Reed “ka transferuar lëndë narkotike te një person tjetër me qëllim për të parandaluar kapjen, ndjekjen penale ose dënimin e saj”, thanë prokurorët specialë të caktuar në këtë rast në një dosje gjyqësore në Santa Fe, New Mexico.

Ndërkaq, ata nuk dhanë detaje të tjera.

Avokati i Gutierrez-Reed, Jason Bowles, e quajti masën “hakmarrëse”.

“Është tronditëse që pas 20 muajsh hetimi, prokurori special tani hedh një akuzë krejtësisht të re kundër Gutierrez-Reed, pa asnjë njoftim paraprak apo ndonjë deklaratë dëshmitari, raporte laboratorike apo provë për ta mbështetur atë”, ka thënë Bowles në një deklaratë.

Gutierrez-Reed është e vetmja e pandehur e mbetur në këtë çështje pasi prokurorët në prill hoqën një akuzë për vrasje të pavullnetshme kundër Alec Baldwin, i cili po drejtonte armën drejt kineastes Halyna Hutchins gjatë provave, duke e vrarë atë dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza në vitin 2021.

Prokurorët ende mund të ngrenë akuza kundër Baldwin.

Akuza e re vjen një javë pasi prokurorët pretenduan në një dosje gjyqësore se Gutierrez-Reed ishte duke pirë mariuanë në mbrëmje gjatë xhirimeve të “Rust”.

Bowles e quajti atë akuzë “vrasje karakteri” nga prokurorët me një çështje të dobët që mbrojtja i ka kërkuar një gjyqtari ta shkarkojë.

Në dosjen e tij, Bowles zbuloi se ai ishte përfshirë aksidentalisht në një email dërguar prokurores së qarkut Mary Carmack-Altwies nga hetuesi i saj kryesor në këtë rast, i cili kritikoi reagimin e zbatimit të ligjit ndaj të shtënave.

“Sjellja e zyrës së sherifit të qarkut Santa Fe gjatë dhe pas hetimit të tyre fillestar është e dënueshme dhe joprofesionale në një masë për të cilën ende nuk kam fjalë”, ka shkruar Robert Schilling në email.

Ai ka thënë se do të largohej nga detyra në mënyrë që prokurorët specialë të mund të përdorin hetuesin e tyre.

Bowles ka thënë në dosjen e tij se emaili tregoi dobësinë e çështjes kundër klientit të tij. Dhe sugjeronte se prokuroria kishte mbajtur të dhëna nga mbrojtja. /Albanianpost.com

Read Previous

Ish-trajneri i Barcelonës do të marrë drejtimin e Inter Miamit

Read Next

Konfiskimi i armatimit në Zveçan, Policia mban sot konferencë të jashtëzakonshme