Përfundon pa marrëveshje maratona për dinarin në Bruksel

Një cikël i gjatë negociatash në Bruksel të Belgjikës për çështjen e dinarit përfundoi – sërish – pa marrëveshje. Në takimin trepalësh që u zhvillua midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët.

Kyenegociatori i Kosovës pas takimit njoftoi para gazetarëve se asnjë marrëveshje për dinarin nuk është arritur, posaçërisht sepse palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës, derisa shtoi se ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen në nivel të kryenegociatorëve për të njëjtën temë. Ndërkaq, shefi i delegacionit serb nuk është deklaruar akoma për media.

Për dallim nga praktika e mëparshme në procesin e dialogut, veçanërisht në nivel të kryenegociatorëve, kur emisari sllovak në fillim zhvillonte takime të ndara me të dy delegacionet, pastaj kalonte në takime trepalëshe me pëlqimin e të dyja palëve, këtë herë Lajçaku kaloi direkt në takim trepalësh, pa pasur nevojë për takime të veçanta veç-e-veç për shkak të temës.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, deklaroi pas takimeve javën e kaluar se pret që në takimin e 25 marsit të vazhdohen diskutimet për “propozimet konkrete dhe zgjidhjen afatshkurtër” për çështjen e dinarit, duke shtuar se takimi i javës së kaluar u shërbeu palëve të angazhuara në terren “për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e së hënës, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë javën tjetër, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog./AlbanianPost.com

Read Previous

Si na kuptojnë qentë se cilat fjalë qëndrojnë për objekte të caktuara?

Read Next

Përkundër mungesës së pajisjeve në repartin e fizioterapisë shërbim marrin 50 pacientë në ditë