Parlamenti spanjoll aprovon amnistinë për separatistët katalonjas

Parlamenti i Spanjës ka miratuar një projektligj të diskutueshëm amnistie që synon faljen e krimeve të provuara dhe të supozuara – të kryera nga separatistët katalonjas, gjatë një përpjekjeje kaotike për të mbajtur një referendum për pavarësinë në rajon, gjashtë vjet më parë.

Kryeministri socialist, Pedro Sánchez, ka promovuar amnistinë si një mënyrë për të kaluar përpjekjen për shkëputje të vitit 2017 nga liderët e atëhershëm të Katalonjës, një rajon verilindor me qendër rreth Barcelonës, ku shumë flasin gjuhën lokale katalanase si dhe spanjisht, raportoi AP.

Megjithatë, projektligji ka hasur gjithashtu në kundërshtimin e miliona spanjollëve të cilët besojnë se njerëzit që provokuan një nga krizat më të mëdha politike të Spanjës duhet të përballen me akuza, duke përfshirë përvetësimin dhe nxitjen e trazirave publike.

Sánchez ka falur tashmë nëntë liderë të burgosur të pavarësisë katalanase, një veprim që ndihmoi në shërimin e plagëve me pak kosto politike. Por amnistia po rezulton të jetë shumë më përçarëse.

Projektligji u miratua me 178 vota pro dhe 172 kundër në dhomën e ulët të Parlamentit me 350 vende në Madrid.

Kriza e shkëputjes shpërtheu në vitin 2017, kur një administratë rajonale e udhëhequr nga Carles Puigdemont organizoi një referendum për pavarësinë, duke sfiduar urdhrat e qeverisë kombëtare dhe një vendim nga gjykata më e lartë e Spanjës që duke vepruar kështu shkelte Kushtetutën. Madridi dërgoi policinë në një përpjekje për të ndaluar referendumin, i cili u kundërshtua nga protestat që u kthyen në dhunë./RTV21/

Read Previous

BE heton faqen kineze AliExpress mbi produkte potencialisht të paligjshme në internet

Read Next

Konsulentët e komunës temë diskutimi sot në KPF