Parlamenti Europian bën thirrje për paketën e 10 të sanksioneve kundër Rusisë

Parlamenti Europian u ka bërë thirrje qeverive europiane që të miratojnë sa më shpejt paketën e 10-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe të ndalojnë kompanitë ende në Bashkimin Europian si Lukoil dhe Rosatom të operojnë në tregun europian.

Për më tepër, sipas rezolutës së miratuar të enjten në seancën speciale të Parlamentit Europian një ditë përpara samitit BE-Ukrainë në Kiev, qeveritë e vendeve anëtare u thirrën nga eurodeputetët që të refuzojnë jo vetëm importin e naftës dhe gazit natyror por edhe uraniumin nga Rusia.

“Parlamenti Europian u bën thirrje vendeve të BE-së që të miratojnë sa më shpejt paketën e 10-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe të paraqesin në mënyrë aktive propozime për sanksione të reja kundër sektorëve dhe individëve të rinj”, thuhet në rezolutën, e cila u miratua me 489 vota kundër 36 dhe 49 abstenime.

“Lista e sanksioneve duhet të zgjerohet për të përfshirë kompanitë ruse që ende operojnë në tregun europian, si Lukoil dhe Rosatom”.

Parlamenti Europian gjithashtu bën thirrje për “një embargo të plotë dhe të menjëhershme ndaj importeve ruse të lëndëve djegëse fosile, duke përfshirë naftën dhe uraniumin”.

Për më tepër, eurodeputetët u bënë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të rrisin dhe përshpejtojnë ndihmën e tyre ushtarake për Kievin, në veçanti sigurimin e armëve, por edhe mbështetje të konsiderueshme politike, financiare, teknike dhe humanitare.

Ata gjithashtu po u bëjnë thirrje udhëheqësve në samitin e ardhshëm BE-Ukrainë që të kenë prioritet një paketë gjithëpërfshirëse të rimëkëmbjes për Ukrainën.

Kjo paketë duhet të fokusohet në lehtësimin, rindërtimin dhe rimëkëmbjen në afat të shkurtër, të mesëm dhe afatgjatë. Mbështetja do të ndihmojë më tej në inkurajimin e rritjes ekonomike në Ukrainën e pasluftës, thuhet në rezolutë.

Duke vlerësuar nevojat për rindërtimin e Ukrainës, Parlamenti Europian bëri gjithashtu thirrje për përdorimin e aseteve të ngrira të Bankës Qendrore Ruse si dhe aseteve të oligarkëve rusë për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

/abcnews.al

Read Previous

Hill e përsërit: Themelimi i Asociacionit është çështje urgjente

Read Next

Kryeministri Kurti: Këto janë 6 kushtet tona për pranimin e Asociacionit