Osmani thirrje ndërkombëtarëve: Të ndëshkohet Vuçiçi për presion ndaj serbëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë për gazetarë të martën, kërkoi nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare ta ndëshkojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas saj, nuk e mbajti fjalën e dhënë para liderëve të Gjermanisë dhe Francës se s’do t’i instrumentalizojë serbët e Kosovës.

Ajo ka apeluar komunitetin serb që përbën shumicën e popullsisë në pjesën veriore të vendit të mos u përgjigjen thirrjeve të Listës Serbe që serbët e Kosovës ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë dhe procesin e largimit të katër kryetarëve shqiptarë në veri të vendit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

“Fatkeqësisht, edhe këtë herë është Vuçiçi ai që nuk e mban fjalën e dhënë para aleatëve, madje edhe në takime me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, por edhe në takime të tjera ku ai garantoi se nuk do të bëjë presion të paligjshëm ndaj serbëve”, u shpreh Osmani.

“Dua në veçanti t’i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që të jenë shumë të zëshëm për të kundërshtuar këtë presion të paligjshëm ndaj serbeve që jetojnë në Kosovë dhe po ashtu,  ta ndëshkojnë Vuçiçin, i cili për të disatën herë nuk e ka mbajtur fjalën që e ka dhënë para tyre”, deklaroi tutje ajo./Albanianpost.com

Read Previous

Ministrja gjermane do t’i përshpejtojë dëbimet për të luftuar krimin në rritje

Read Next

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut: Zvicra ka shkelur të drejtat e njeriut sa i përket çështjes së klimës