Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tashmë ka arritur në Tiranë ku do të mbahet Samiti për Ukrainën.
Ajo është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Para mediave, Osmani tha se Kosova mbështet Ukrainën dhe popullin e saj.
“Rusia është duke bërë invazion ilegal ndaj Ukrainës dhe ne këtë e kemi kundërshtuar duke i vendosur sanksione Rusisë dhe duke mbështetur Ukrainën, këtë do ta bëjmë edhe tash e tutje. Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i ndërmerr në këtë drejtim së bashku me aleatët dhe do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, u shpreh Osmani.
E pyetur nga gazetarët se a do t’i kërkoj presidentit ukrainas njohjen e Kosovës, presidentja u shpreh se ajo do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.
“Gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje lufte, duke luftuar për lirinë e saj. Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha Osmani. /Telegrafi/