Opozita kritikon Qeverinë për rritjen e tatimit në pronë

Partitë opozitare kanë reaguar pas rritjes së faturës së tatimit në pronë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, deklaroi se për një Qeveri të papërgjegjshme, rritja e tatimit në pronë ishte zgjidhje ideale.

Sipas tij, rritja e të hyrave të shtetit nëpërmjet tatimit, do të përshpejtojë edhe zbrazjen e Kosovës.

“Qytetarëve që po ballafaqohen me varfëri e rrethana të rënduara për shkak të inflacionit, Qeveria e Albin Kurtit ua rritë tatimin në pronë. Zgjidhje ideale për një qeveri të papërgjegjshme. Pra, ku është vështirë, ta bëjmë edhe pak më të vështirë. Kështu me gjasë do rriten të hyrat e shtetit, paralelisht me përshpejtimin e zbrazjes së Kosovës. Ju lumtë”, shkroi Tahiri në Facebook.

Ndërsa, koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, tha se dyfishimi i tatimit në pronë do të ju rëndojë edhe më tej gjendjen qytetarëve.

Sipas tij, kjo politikë e Qeverisë është shpërfillje për qytetarët.

“Kjo politikë e Qeverisë për t’i ngarkuar qytetarët me tatime më të larta në këtë kohë krize është vështirë e kuptueshme dhe flet më së miri për kapacitetet e dobëta qeverisëse dhe shpërfilljen që kjo Qeveri po i bën vështirësive me të cilat po ballafaqohen qytetarët”, ka shkuar Mustafa.

Per këtë ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Ai tha se faturat e tatimit në pronë u dyfishuan, kur Kosova është në krizën më të madhe të çmimeve në 15 vjetët e fundit.

“Ligji sigurisht se kërkon rivlerësim të rregullt të vlerës së tregut të pronave. Por, rivlerësimi bëhet në kontekst të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në vend, si dhe analizohet me kujdes se kur është koha e përshtatshme që kjo të reflektohet në faturat për qytetarët”, shkroi Hoti.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se Ministria e Financave duhet të pezullojë rivlerësimin e fundit të patundshmërive.

Sipas saj, qytetarët nuk mund të përballojnë tatime më të larta.

“Në kohën e krizës ekonomike e sociale nëpër të cilën po kalon vendi, qytetarëve u janë rritë vetëm çmimet, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka rritje e të të hyrave – janë rritë vetëm çmimet”, ka shkruar Bajrami.

Deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, u shpreh se nëpërmjet tatimit në pronë, po rriten problemet e qytetarëve dhe po goditet mirëqenia e qytetarëve.

“Krejt padrejtë po rriten problemet e qytetarëve. Krejt padrejtë po goditet mirëqenia e qytetarëve. Krejt padrejtë e pandalshëm po u rëndohet jeta qytetarëve në të gjitha fushat. Vlerësimi i bazës tatimore (pronës) nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për vitin 2023 është rritur gati për 100%. Ky veprim tregon paaftësinë dhe keqqeverisjen aktuale, duke lënduar qytetarët e Kosovës në kohën e inflacionit rekord dhe duke kontribuar në thellimin e varfërisë në vendin tonë”, shkroi ai në Facebook. /EO/

Read Previous

Kurti bisedon për Projektligjin për Liritë Fetare me ipeshkvin Dodë Gjergji

Read Next

Stoltenberg: Aleatët do të gjejnë së shpejti zgjidhje për të dërguar tanke në Ukrainë