OBSH: Një në gjashtë persona në mbarë botën vuan nga infertiliteti

Rreth një në gjashtë njerëz në mbarë botën preken nga infertiliteti gjatë jetës së tyre, sipas një raporti të ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ky i fundit, thotë se duhet bërë më shumë punë për të përmirësuar aksesin në kujdesin e përballueshëm dhe me cilësi të lartë të fertilitetit.

Agjencia shëndetësore e OKB-së thotë se rreth 17.5 për qind e popullsisë së rritur përjeton infertilitet, me pak ndryshime në prevalencën e infertilitetit midis pjesëve të ndryshme të botës.

Prevalenca gjatë gjithë jetës ishte 17.8 përqind në vendet me të ardhura të larta dhe 16.5 përqind në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Raporti zbulon një të vërtetë të rëndësishme – infertiliteti nuk diskriminon”, tha në një deklaratë Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Sipas tij, përqindja e madhe e njerëzve të prekur tregon nevojën për të zgjeruar aksesin në kujdesin e fertilitetit dhe për të siguruar që kjo çështje të mos anashkalohet më në hulumtimet dhe politikat shëndetësore.

Steriliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues të mashkullit ose femrës, e përcaktuar nga dështimi për të arritur një shtatzëni pas 12 muajsh ose më shumë përpjekjesh.

Për ata që janë prekur, mund të shkaktojë shqetësim të konsiderueshëm, stigmë dhe vështirësi financiare, duke ndikuar në mirëqenien e tyre mendore dhe psikosociale, tha OBSH-ja.

Shumica e kujdesit mjekësor për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e infertilitetit, duke përfshirë teknologjinë riprodhuese të asistuar siç është fekondimi in vitro (IVF), mbeten të pafinancuara dhe të paarritshme për shumë për shkak të kostos së lartë dhe disponueshmërisë së kufizuar.

Agjencia e OKB-së zbuloi në një raport të veçantë mbi kostot e trajtimeve të infertilitetit se kostot mjekësore direkte të paguara nga pacientët për një raund të vetëm IVF janë shpesh më të larta se të ardhurat mesatare vjetore.

Raporti i OBSH-së u bazua në studimet mbi prevalencën globale dhe rajonale të infertilitetit nga viti 1990 deri në vitin 2021. /Albanianpost.com

Read Previous

Historia dhe kontributi i paçmuar i Varian Fry, gazetarit që shpëtoi 2000 artistë nga nazistët

Read Next

Shuhen shpresat e Tyson Furyt, WBA i cakton Usyk kundërshtarin e detyrueshëm