Numër i madh i aksidenteve në trafik brenda një dite, shpejtësia ndër shkaktarët kryesorë

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.

Sipas Policisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur 19 aksidente, ku në një ndër to ka humbur jetën një person.

Sinjali ka mësuar detajet prej disa prej tyre, që kanë ndodhur në qytete të ndryshme të vendit.

Në mëngjesin e djeshëm në rrugën rajonale Samadrexhë – Vushtrri, në fshatin Ropicë, si pasojë e një aksidenti në trafik ka mbetur i lënduar një person i cili është dërguar me urgjencë në spital. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, me ç’rast është rrokullisur dhe ka dalë jashtë rrugës.

Një tjetër aksident ka ndodhur në fshatin Dobërdolan të Suharekës, ku për shkak të shpejtësisë së madhe, shoferi ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka goditur një kamionetë që po lëvizte nga fshati Pagarushë. Si pasojë e aksidentit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Po ashtu në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, katër persona kanë përfunduar në spital si pasojë  elëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi në rrugën rajonale Mitrovicë – Vushtrri. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të kthimit gjysmë rrethor në mënyrë të pasigurt të njërit prej shoferëve.

Si pasojë e përfshirjes në një aksident trafiku mbetën të lënduar edhe dy persona në Ferizaj. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë më kushtet e rrugës, me ç’rast njëri nga shoferët kishte dalë në anën e kundërt të rrugës dhe ishte ndeshur me veturën që i vinte përballë.

E në një aksident në fshatin Meje të Gjakovës janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë janë lënduar gjashtë persona. Aksidenti dyshihet se ka ndodhur pasi njëri nga shoferët nuk ka mbajtur distancën e duhur teksa qëndronte pas automjeteve, me ç’rast ka goditur veturën e përparme dhe ajo ka goditur atë paraprake. Të lënduarit janë dërguar në Emergjencë dhe të njëjtit janë jashtë rrezikut për jetë.

Një aksident trafiku ka ndodhur edhe në rrugën magjistrale Prizren – Prishtinë, ku për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë të njërit prej automjeteve, dy veturat janë ndeshur mes vete. Si pasojë e aksidenti është lënduar një person dhe i njëjti është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Nga pakujdesia e shoferëve, në shumë raste e pësojnë edhe këmbësorët. E kështu ka ndodhur edhe dje pasdite në rrugën ‘Skenderbeu’ në Suharekë, ku vetura ka goditur një fëmijë 13-vjeçar. Shoferi që po drejtonte veturën dyshohet se gjatë kyçjes nga rruga, ka goditur të miturin i cili ka pësuar lëndime trupore dhe si pasojë është dërguar në spital.

Ndryshe dita e djeshme ishte e kobshme për Sabahudin Sijariq nga Istogu. Ai ka humbur jetën në aksidentin e rëndë më fatalitet në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, saktësisht në Vërmicë.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

/Gazeta Sinjali/

Read Previous

Moti i ligë godet Kaliforninë, humbin jetën 17 persona – hapet gropa në rrugë në të cilën bien dy vetura

Read Next

AKB: Në pandemi u shuan 20 mijë biznese, e rreth 50 mijë persona mbeten pa punë