Nga Lufta e Ftohtë te epoka e re: Takimet historike mes presidentëve amerikanë dhe rusë

Takimet mes presidentëve të SHBA-ve dhe atyre rusë ose sovjetikë kanë shënuar shpesh momente historike dhe kthesa gjeopolitike. Më 15 gusht 2025, në Alaskë, Donald Trump do të përpiqet të bindë Vladimir Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. A do të jetë ky një moment tjetër historik? Historia e deritanishme ofron disa precedentë të rëndësishëm.

•Në shtator të vitit 1959, Dwight Eisenhower priti Nikita Hrushovin në Shtetet e Bashkuara, në vizitën e parë zyrtare të një lideri sovjetik jashtë Europës. Takimi u mbajt në Camp David dhe përfshiu edhe vizita të veçanta, përfshirë Hollywood-in. Aty Hrushov pati momente të paharrueshme para një audience që përfshinte Marilyn Monroe dhe Elizabeth Taylor. Takimi përfundoi me një deklaratë për nisjen e bisedimeve mbi çarmatimin dhe statusin e Berlinit, i ndarë nga Lufta e Ftohtë.

•Në qershor 1961, John F. Kennedy dhe Hrushovi u takuan në Pallatin Schönbrunn në Vjenë, në një klimë të tensionuar pas dështimit të përpjekjes së Gjirit të Derrave në Kubë. Në qendër të diskutimeve ishte e ardhmja e “çështjes së Berlinit”, ndërsa pas dy muajsh filloi ndërtimi i Murit të Berlinit. Një vit më vonë, kriza e raketave në Kubë e afroi botën në prag të luftës bërthamore.

•Në maj 1972, Richard Nixon vizitoi Moskën për të takuar Leonid Brezhnevin. Në sfond ishte Lufta e Vietnamit, por samiti shënoi fillimin e periudhës së “détente”-s, me nënshkrimin e marrëveshjeve SALT dhe ABM për kontrollin e armëve bërthamore. Ky dialog u thellua në takimet e mëvonshme, deri në ndërprerjen për shkak të pushtimit sovjetik të Afganistanit në 1979.

•Në nëntor 1985, Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev u takuan për herë të parë në Gjenevë. Reagan, që pak kohë më parë kishte quajtur Bashkimin Sovjetik “Perandori e së Keqes”, i propozoi Gorbachev-it një shëtitje buzë liqenit, një moment simbolik i ngrohtësimit të marrëdhënieve.

•Në vitin 1987, në samitin e tretë në Uashington, Reagan dhe Gorbachev firmosën Traktatin INF, që eliminonte raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe mesatare, duke ulur tensionet në shkallë globale.

•Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ndryshimeve dramatike politike, më 1992-shin George H.W. Bush priti në Uashington Boris Jelcin, presidentin e parë post-sovjetik të Rusisë. Ata u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe uljen e arsenaleve bërthamore, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.

•Gjatë viteve 1995, 1997 dhe 1998, Bill Clinton dhe Jelcin u takuan disa herë për të diskutuar tema si zgjerimi i NATO-s, bashkëpunimi bërthamor dhe kriza financiare ruse.

•Në vitin 2001, George W. Bush u takua me Vladimir Putin në Ljubljanë, duke përmendur fjalët e tij të famshme: “E pashë në sy këtë njeri dhe pashë shpirtin e tij”. Në vitin 2002 ata firmosën marrëveshje për reduktimin e kokave bërthamore, por marrëdhëniet u ftohën, sidomos pas luftës në Gjeorgji në 2008-ën.

•Në 2009-ën, Barack Obama nisi politikën e “rivendosjes” në marrëdhëniet me Moskën dhe, së bashku me Dmitry Medvedev, firmosi marrëveshjen “New START” në Pragë për reduktimin e armëve bërthamore. Megjithatë, me rikthimin e Putinit në pushtet dhe konfliktin në Gjeorgji, marrëdhëniet u tensionuan sërish.

•Në 2015-ën, Obama dhe Putin u takuan në OKB, një takim me rëndësi simbolike, por pa rezultate konkrete, veçanërisht për shkak të angazhimit ushtarak rus në Siri.

•Në 2018-ën, takimi kontrovers në Helsinki mes Trump dhe Putin u shoqërua me polemika në SHBA, pasi Trump duket se i dha besueshmëri mohimeve të Putin për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane. Ata diskutuan për Sirinë, Ukrainën, Kinën dhe armët bërthamore, por samiti shkaktoi ndarje të thella në SHBA.

•Më 16 qershor 2021, Joe Biden dhe Vladimir Putin u takuan në Gjenevë. Nuk pati konferencë të përbashkët për shtyp, por u dakorduan për rikthimin e ambasadorëve në kryeqytetet e tyre. Biden e përshkroi takimin si “konstruktiv”, ndërsa Putin theksoi mungesën e armiqësive, pavarësisht fjalëve të ashpra që Biden i kishte drejtuar më parë./tvklan.al

Read Previous

Ushtria amerikane kundër karteleve? Meksika i thotë jo planit të Trump

Read Next

VIDEO | Momenti kur polici në Shqipëri shpëton qytetarët e lënduar në një aksident