Netflix humb rreth një milion abonentë

Nuk e shpëton as “Stranger Things” Netflixin.

Gjigandi amerikan i transmetimit ka humbur thuajse 1 milion abonentë vetëm në periudhën mes prillit dhe korrikut, duke shënuar kështu ikjen më drastike të dashamirësve të ekranit të vogël.

E pavarësisht kësaj, sërish largimet nga platforma nuk kanë qenë aq sa pritej nga vetë drejtuesit e kompanisë.

I pyetur mbi këtë “sukses” të mbajtjes gjallë të shpresës për një rikthim, drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, Reed Hasting, përmendi vetëm një emër: Stranger Things.

Seriali i njohur i bazuar në kulturën e viteve 80’ dhe i krijuar në një zhanër të horrorit të moderuar nga vëllezërit Duffer, ka arritur që me suksesin e vet gjatë muajve maj dhe korrik, të mbajë disa abonentë të lidhur me platformën, vetëm e vetëm për të parë përfundimin e sezonit të katërt të ngjarjeve.

Një sukses i jashtëzakonshëm për Netflix-in ka qenë Stranger Things, me numra stratosferikë të shikueshmërisë, të cilët vijojnë ta mbajnë shumë të shkëputur si seriali më i ndjekur i kësaj periudhe.

Mirëpo me njerëzit, të cilët pothuaj të gjithë e kanë parë tashmë, abonimet pritet të shënojnë rënie të mëtejshme drastike.

Lajmi më i keq në fakt, nuk është as ky, pasi Netflix gjendet tërësisht në udhëkryq me situatën aktuale të kompanisë.

Për Stranger Things, ka mbetur veçse edhe një sezon tjetër për t’u sjellë në jetë. Minimalisht, ai do të kërkojë dy vjet për realizimin.

Spektakle të tjera, ende nuk e kanë rrokur vëmendjen e shikuesve dhe idetë për filma apo seriale, që mund të bëjnë diferencën, ka pak.

Nga ana tjetër, rivalët e Netflix po ecin me ritme shumë të shpejta, me plane afatshkurtra që prej verës, e më tej akoma me plane afatgjata.

Gjigandi amerikan i transmetimit, HBO dhe dega e tij HBO Max, po transmetojnë aktualisht serialin hit në SHBA dhe mbarë botën, Westworld. Me mbarimin e këtij të fundit, vendi do t’i lihet rikthimit të Game of Thrones në ekranin e vogël, me House of the Dragon.

Më pas, HBO ka deklaruar se po punon edhe për risjelljen në ekran të John Snow, po nga saga e Game of Thrones – një prej të preferuarve të publikut.

Pra, gjërat duken mirë për kompaninë Time Warner, e cila zotëron aksionet kryesore të HBO.

Edhe rivalët e Disney+ janë duke performuar mirë me serialet e tyre të bauzara në universin Marvel apo atë të Star Wars.

Amazon Prime, deri tani, nuk ka shfaqur shqetësime sa i përket ikjes së abonimeve dhe seriale si The Boys, po rrokin vëmendjen botërore.

I ka ardhur kështu Netflixit dita për të mos qenë më mbreti i transmetimeve në shtëpi?

Në fakt jo tërësisht, pasi direferenca mes Netflix dhe të tjerëve është ende shumë e madhe në shikueshmëri.

Veçse, kompania amerikane duhet të nxitojë për një plan të ri dhe më argëtues të audiencës. Ndryshe, shikuesit nuk do e falin… /Albanianpost.com

Read Previous

Klubet që kanë shpenzuar më shumë në këtë afat kalimtar

Read Next

Shenjat që tregojnë nëse keni mungesë të vitaminës D