Në prag të 28 Nëntorit, flamuri kuqezi ngrihet në zemër të New Yorkut

Qyteti i Yonkers në New York do të organizojë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit shqiptar, në nder të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe trashëgimisë së tij kombëtare, në prag të festës së 28 Nëntorit.

Ceremonia do të mbahet të hënën, më 23 nëntor 2026, nga ora 16:00 sipas kohës lokale, në Washington Park – Middle Grounds, pranë ndërtesës së Bashkisë së Yonkers, në anën e South Broadway.

Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të qytetit në Facebook, ku kryetari Mike Spano dhe autoritetet lokale kanë ftuar pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan që të marrin pjesë në këtë ngjarje.

“Bashkohuni me kryetarin Mike Spano dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan në ceremoninë e ngritjes së flamurit”, thuhet në ftesën e publikuar nga autoritetet e qytetit.

Ngjarja do të mbahet pesë ditë para 28 Nëntorit, datës që shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe që festohet nga shqiptarët në mbarë botën.

Ngritja e flamurit kuqezi në një hapësirë publike të qytetit amerikan ka karakter simbolik për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke vënë në pah identitetin kombëtar, kulturën dhe lidhjet me vendin e origjinës.

Përmes kësaj ceremonie synohet të bashkohen shqiptarët që jetojnë në Yonkers dhe zonat përreth, në shenjë të festimit të një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Çfarë të hani kur merrni vaksinën kundër gripit?

Read Next

Ali Ahmeti pas takimit me Ramën: Biseduam vëllazërisht për interesat e kombit shqiptar