Ndahet nga jeta Amir Agani, një nga farmacistët më të njohur në Kosovë

Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare, Amir Agani, një nga farmacistët më të njohur në Kosovë. Oda e Farmacistëve të Kosovës ka vlerësuar lartë kontributin e tij në sektorin farmaceutik duke e cilësuar Aganin si doajen të farmacisë.

“Puna e z. Agani do të jetë udhërrëfyesi më i mirë për ndërtimin e gjeneratave të reja të farmacistëve”, thuhet në shkrimin e Odës së Farmacistëve në Facebook.

Siç kanë njoftuar familjarët e Aganit, varrimi i tij do të bëhet në orën 13:00 sot në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Biografia e shkurtër e Aganit, publikuar nga Oda e Farmacistëve:

Agani u lind në Gjakovë më 1936. Ai kreu shkollën e mesme në Prishtinë e Fakultetin e Farmacisë në Zagreb. Diplomoi më 1961.

Pas diplomimit punoi 6 muaj në Laboratorin e Biokimisë pranë Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë. Më pas kaloi në barnatoret e Prishtinës ku së pari u emërua shef i Barnatores së Parë, e pas dy vitesh ishte emëruar drejtor i Barnatoreve të Prishtinës në kuadër të Barnatoreve të Integruara të Kosovës ku punoi në këtë post deri në vitin 1978, kur e lëshoi këtë post për tu marrë me themelimin e ndërrmarrjes së parë kosovare për furnizim me artikuj mjekësorë me shumicë “Farmed” me seli në Prishtinë.

Ndërkohë Amir Agani kishte filluar qysh në vitin 1966 specializimin në degën e teknologjisë farmaceutike pranë institutit të Teknologjisë Farmaceutike të Fakultetit të Farmacisë në Beograd të cilin e përfundon në qershor të vitit 1978.

Agani ishte një ndër iniciatorët e parë të themelimit të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës dhe kryetar shumëvjeçar i kësaj shoqate e cila fillimisht kishte funksionuar si degë e Shoqatës Farmaceutike të Serbisë, dhe po ashtu ishte ndër iniciatorët e shkëputjes së Shoqatës Farmaceutike të Kosovës nga ajo e Serbisë.

Agani pas shkëputjes ishte edhe kryetari i parë i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës themeluar zyrtarisht në dhjetor të vitit 1975.

Agani si kryetar shumëvjeçar i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës ishte edhe ndër iniciatorët kryesorë të përpjekjeve për sigurimin e kuadrit profesional farmaceutik në Kosovë dhe të hapjes së Fakultetit të Farmacisë pranë Universitetit të Prishtinës.

Agani ka marrë pjesë në botime të shumta në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, ka qenë në grupin e autorëve të botimit të Farmakopesë Jugosllave. Gjithashtu ka botuar libirin “Historia e ilustruar e mjekësisë dhe farmacisë nga zanafilla në Iliri dhe trevat shqiptare” në vitin 2015 në Prishtinë.

Magjistër Agani për punën e tij është nderuar me mirënjohje të shumta nga shoqatat e ndryshme profesionale dhe është profili i farmacistit në numrin e parë të Revistës Farmaceutike të Odës së Farmacistëve të Kosovës. /Koha.net/

Read Previous

​Sarrazin: Do të ketë një shtytje të re në dialog, palët të jenë konstruktive

Read Next

Specializantët anulojnë protestën, ministri Vitia u premton zgjidhje