• 11 August, 2022

Ndahet nga jeta akrobatja Vitore Sallaku, ikona e akrobacisë dhe cirkut shqiptar

“Mjeshtrja e Madhe”, akrobatja Vitore Sallaku, është ndarë nga jeta. E cilësuar si një nga ikonat e akrobacisë dhe cirkut shqiptar, ajo ofroi kontributin e saj, jo vetëm si artiste, por edhe si pedagoge e shkrimtare.

Vitore Sallaku vinte nga një familje e persekutuar prej sistemi komunist, ku të atin Lorenc Rashën e pushkatuan. Megjithatë, falë aftësive dhe talentit, të ndjerës nuk ia ndërprenë të drejtat e studimit në ish- Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë. Nga ana tjetër, kjo goditje e familjes Rasha, tentoi të vinte në pikëpyetje karrierën artistike të bashkëshortit të saj, Skënder Sallaku, i cili nuk hoqi dorë kurrë prej saj.

Si një nga akrobatet më të spikatura të arenës së cirkut, me një kontribut për më shumë se 35 vjet, Vitore Sallaku u nderua në tetor të vitit 2021 nga Presidenti, Ilir Meta, me titullin “Mjeshtre e Madhe”.

Për ndarjen e saj nga jeta ka reaguar edhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila përmes një statusi në Facebook ka ndarë lajmin e hidhur me të gjithë shqiptarët.

“Një grua e rrallë, energjike, një artiste e talentuar, një nga themelueset e Cirkut shqiptar, u nda nga ne. Akrobatja Vitore Sallaku ka lënë pas kaq shumë kujtime të bukura dhe u ka falur kaq shumë gëzim njerëzve, saqë largimi do të jetë vetëm fizik! Ajo ishte dhe do të mbetet një shkollë për brezat e rinj!”./ KultPlus.com

Read Previous

Zelensky: Beteja në Severodonetsk do vendosë fatin e rajonit të Donbasit

Read Next

Futbolli kosovar u rrit falë yllit që nuk shuhet kurrë, Fadil Vokrrit