NBC: SHBA-ja do t’i dërgojë në Kosovë refugjatët afganë që dyshohen për lidhje me talebanët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë në Kosovë refugjatët afganë që pas verifikimit të parë dalin të dyshimtë për lidhje me talebanët, ka raportuar të premten mediumi i njohur amerikan “NBC”.

Sipas raportimit, deri tash janë rreth 100 afganë të tillë që kanë ngritur shqetësim pas verifikimit të tyre. Ndërsa të paktën dy nga ta do të dërgohen në Kosovë për rishikim të mëtejmë. “NBC” ka raportuar se SHBA-ja do të bëjë njëjtë me cilindo refugjat që nxit shqetësime të tilla.

Burimet e këtij mediumi kanë thënë se vetëm pse një person ka nxitur shqetësime gjatë verifikimit të tij nuk do të thotë se është terrorist apo se paraqet kërcënim.

Nga më shumë se 30 mijë të evakuuarit nga Afganistani në SHBA, rreth 10 mijë i janë futur verifikimit deri të premten, dhe se nga ta rreth 10 kanë dalë të dyshimtë për lidhje me grupe terroristësh.

Zyrtarisht SHBA-ja ka refuzuar të komentojë këto raportime.

Deri tash në Kosovë janë pranuar rreth 500 refugjatë nga Afganistani. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se Kosova do t’i pranojë rreth 2000 refugjatë.

Shumica e të të larguarve të tjerë janë njerëz që dikur ishin deportuar nga SHBA-ja për kryerjen e veprave kriminale, kanë thënë burime për “NBC”. Tani Departamenti për Siguri po vendos se çka do të bëjë me secilin prej tyre.

Të evakuuarit kanë qenë cak i verifikimit para se të zbrisnin në SHBA dhe po ashtu edhe në rrugën nga vendet e treta në drejtim të SHBA-së./Koha.net

Read Previous

Pupovci: Shkalla e vaksinimit të mësimdhënësve është rreth 77 për qind

Read Next

I kishin futur 23 sirian në kombi, arrestohen dy persona në Komoran