“NATO-ja veproi për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”, Hovenier e Rohde nga Krusha e Madhe

Në përurimin e Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se NATO-ja kishte intervenuar për shkak të krimeve të tmerrshme që kishin ndodhur në këtë fashat, ku forcat serbe vranë e masakruan mbi 200 persona.

“NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, tha Hovenier.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, theksoi se intervenimi i NATO-s ishte i domosdoshëm.

“Kjo si dhe masakrat tjera, vetëm treguan se kishte ardhur koha tashmë që NATO të ndërhynte për ta shmangur një tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik i cili po ndodhte këtu”, potencoi Rohde.

Prandaj, ai ka insistuar që autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë, meqë sipas tij, shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati.

Krusha e Madhe përkujton këtë të martë të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

25 vjet më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore janë djegur./Albanianpost.com

Read Previous

ATK-ja ndryshon procedurat e rimbursimeve

Read Next

Qytetarët me opinione të ndryshme për punimet në qendër të qytetit