Nations League/ Shqipëria dhe Kosova do të mësojnë kundërshtarët në shkurt

Nations League do të hedhë shortin e grupeve në shkurt, aty ku Shqipëria dhe Kosova do të mësojnë kundërshtarët.

Shorti për grupet e ligës do të hidhet në Paris, Francë, më 8 shkurt 2024, ora 18:00 dhe do të mbahet së bashku me Kongresin e UEFA-s. Kongresi dhe shorti fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në Madrid, por u zhvendosën për shkak të skandalit të Luis Rubiales.

Gara do të zhvillohet nga shtatori deri në nëntor 2024. Në mars 2025 do të luhen çerekfinalet e Ligës A dhe play-off-et për promovimin ose rënien. Dhe, në qershor 2025 luhen finalet e Nations League.

Ky do të jetë edicioni i katërt i Nations League të UEFA-s. Një kompeticion i cili u jep skuadrave, përveçëse një trofe edhe mundësi për kualifikim në Kampionat Evropian ose Kupën e Botës. Duke qenë se sezoni 2024-25 është një vit para Kupës së Botës 2026, kompeticioni do të ketë ndikimin e tij për Botërorin.

UEFA do të dërgojë 16 ekipe në Kupën e Botës 2026. 12 prej të cilave do të jenë ato që do të triumfojnë në grupet kualifikuese, ndërsa katër të fundit do të dalin nga play-off, ku përfshihet edhe Nations League.

12 skuadrave nënkampione të fazës kualifikuese do t’u shtohen katër të tjera, më të mirat nga Nations League, me kusht që të mos jenë pjesë e 12 të parave apo të dytave nga kualifikueset.

Shqipëria do të vijojë rrugëtimin e saj në Ligën B, ndërsa Kosova në atë C.

Kuqezinjtë janë në vazon e tretë, aty ku gjenden edhe Sllovenia, Republika e Irlandës dhe Mali i Zi, kundërshtarë të cilët Shqipëria i shmang tashmë.

Megjithatë, kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë do të dalin nga tre vazot e tjera. Në vazon e parë janë Austria, Çekia, Anglia dhe Uellsi. Në vazon e dytë janë Finlanda, Ukraina, Islanda dhe Norvegjia. Dhe, në vazon e katërt janë Gjeorgjia, Greqia, Turqia dhe Kazakistani.

Kosova, e cila gjendet në vazon e dytë në Ligën C do të shmang kundërshtarë si Azerbajxhani, Bullgaria dhe Ishujt Faroe.

“Dardanët” do të kenë kundërshtarë nga tre vazot e tjera. Në vazon e parë gjenden Rumania, Suedia, Armenia dhe Luksemburgu. Në vazon e tretë janë Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut dhe Qirpo. Dhe, në vazon e katërt gjenden Bjellorusia, Lituania ose Gjibraltari, Estonia dhe Letonia.

Si funksionon Nations League?

Fituesit dhe nënkampionët e katër grupeve të Ligës A do të marrin pjesë në çerekfinalet me dy ndeshje, me fituesit e këtyre takimeve që kualifikohen në “Final Four”.

Skuadrat e vendeve të katërta në Ligën A dhe B bien automatikisht në Ligën B dhe C respektivisht. Dy skuadrat e renditura më poshtë në Ligën C, ndërkohë, zbresin në Ligën D.

Katër fituesit e grupeve në Ligën B dhe C, si dhe dy fituesit e grupeve në Ligën D, promovohen automatikisht në Ligat A, B dhe C respektivisht.

Skuadrat e renditura të treta në Ligën A dhe nënkampione në Ligën B, si dhe skuadrat e renditura të treta të Ligës B dhe nënkampionët e Ligës C, do të luajnë ndeshje play-off me njëra-tjetrën për promovim ose rënie nga liga.

Gjithashtu do të ketë ndeshje play-off midis dy skuadrave të renditura në vendin e katërt nga Liga C dhe dy nënkampionët nga Liga D. (Kujtojmë se Liga D është e vetmja që ka dy grupe me nga tre skuadra. Ligat A, B dhe C kanë nga katër grupe me nga katër skuadra). /Albanianpost.com

Read Previous

Babai raporton se e bija iu sulmua seksualisht në Gjakovë

Read Next

Xhiro e 16-të e Superligës së basketbollit me super derbi, vëmendja në Mitrovicë