Nagavci: Në 2024 synojnë që t’i kemi tekstet shkollore të përmirësuara

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, në konferencën e fundit për 2023, ka deklaruar se synojnë që në vitin 2024 t’i kenë tekstet shkollore të përmirësuar.

Nagavci, në një konferencë për media ka deklaruar se tekstet aktuale vazhdojnë të kenë shumë mangësi.

“Për fat të keq akoma përmbajtjet në tekstet mësimore ofrojnë mësim të dekonstalizuar dhe teorik, në shumicën e teksteve janë gjetur dhe vazhdojnë të gjenden gabime drejtshkrimore. Raportet e detajuar për rishikimin e të gjitha teksteve do të ndahen me të gjitha shtëpitë botuese, synimi ynë është që vitin e ardhshëm t’i kemi këto tekste shkollore të përmirësuara”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo tutje ka pasur kërkesë ndaj komunave që buxhetin e ndarë nga Qeveria e Kosovës, ta shfrytëzojnë në mënyrë të përgjegjshme.

“Presim nga komunat që buxheti të shfrytëzohet në mënyrë të përgjegjshme, pasi që kemi raste kur buxheti nuk është përdorur për atë që është kërkuar”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Nga Ministria e Arsimit kishin thënë se do të shpërndajnë edhe doracak pune po në formë elektronike për mësimdhënësit, për t`u shërbyer gjatë kohës që do të mungojnë tekstet shkollore.

Ndryshimi i librave krahas gabimeve të shumta pason reformat e iniciuara nga dikasteri i arsimit në vitin 2020 ku në fokus është vendosur nxitja e mendimit kritik te nxënësit, si dhe angazhimi në projekte praktike.

Megjithatë, nga ekspertët e arsimit, prindërit dhe mësuesit ky koncept është thënë se nuk përputhet me mundësitë dhe kushtet që kanë shkollat pasi një pjesë e madhe e shkollave përballen me mungesën e kushteve elementare. /Albanianpost.com

Read Previous

BQK: Rritja ekonomike gjatë vitit 2024 pritet të jetë 4.2 %

Read Next

Sveçla: Do të rritet mbështetja e Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës