Nagavci: Kompensimi i orëve të humbura sipas kalendarit të ministrisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se mësimi nëpër shkolla duhet të mbahet sipas kalendarit të ministrisë, të cilin e kanë publikuar ditë më parë.

Këtë qëndrim ministrja Nagavci e ka ripërsëritur, duke iu përgjigjur kërkesës së kryetarëve të komunave lidhur me formën dhe mënyrën e kompensimit të orëve mësimore të humbura gjatë ditëve të grevës së punonjësve arsimorë në Republikën e Kosovës.

“Sa i përket propozimit tuaj që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët”, thuhet në përgjigjen e ministres Nagavci.

Kryetarët e komunave, më 7 tetor, i drejtuan një kërkesë Ministres Nagavci lidhur me formën dhe mënyrën e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës.

Në kërkesën e tyre thuhej se kompensimi i orëve të humbura të mësimit, nuk duhet të bëhet ditëve të pushimeve të rregullta (fundjavave), çka nga vlerësimi praktik që kemi bërë si komuna, do të rezultonte e parealizueshme.

Prandaj, ata kërkuan që kompensimi i orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në arsim, të bëhet duke i shtuar nga pesë orë pune për çdo nxënës brenda javës në kuptim të ditëve të rregullta të punës, ashtu që do të përballohej më lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në proces mësimor si dhe do të garantonte standardet e kërkuara për zhvillimin normal të procesit mësimor, për të cilën janë shprehur pajtues udhëheqësit komunal. /Telegrafi/

Read Previous

​Presidentja Vjosa Osmani pret në takim skuadrën Ballkanit

Read Next

​Me moton “GRU, JETË, LIRI”, është mbajtur aksion në shenjë solidariteti me gratë e Iranit