GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Muzeu i Artit Bashkëkohor ka vazhduar programin e hulumtimit dhe dokumentimit për vitin 2026, duke prezantuar thirrjen e parë publike për projekte kërkimore që trajtojnë historinë dhe zhvillimin e artit bashkëkohor në Kosovë. Përmes kësaj iniciative synohet pasurimi i arkivit institucional të muzeut dhe dokumentimi i proceseve që kanë ndikuar në kulturën dhe artin vendor ndër vite.
Një nga projektet kryesore është monografia kushtuar piktorit Engjëll Berisha, e cila përfshin dokumentimin vizual, inventarizimin, digjitalizimin dhe analizën historike e stilistike të krijimtarisë së tij. Projekti synon mbrojtjen dhe rivlerësimin e kontributit të artistit në artin modern dhe bashkëkohor shqiptar.
Në të njëjtën kohë po zhvillohet edhe hulumtimi për monografinë e Daut Berisha nga hulumtuesit Dardan Luta dhe Merita Dragaj. Projekti dokumenton jetën dhe krijimtarinë e artistit në Kosovë dhe Paris, duke trajtuar rolin e diasporës në formësimin e identitetit kulturor shqiptar.
Programi përfshin edhe hulumtimin mbi ekspozitën “Përtej” të Shkëlzen Maliqi, e konsideruar si një ndër momentet më të rëndësishme të artit bashkëkohor të viteve ’90. Ndërkaq, studiuesja Rina Asani po merret me studimin e “Qendrës së Artit Bashkëkohor”, një nga iniciativat më të rëndësishme kulturore të pasluftës në Kosovë.
Po ashtu, projekti “Rilindja si hapësirë, institucion dhe kujtesë kolektive” nga Njomëza Mulaxha fokusohet në dokumentimin e historisë arkitektonike dhe simbolike të kompleksit “Rilindja”, ndërsa Milot Gusija po hulumton materialet artistike të botuara në revistën “Jeta e Re” gjatë viteve 1960–1970, me qëllim evidentimin dhe ruajtjen e veprave të rralla të artit kosovar./KultPlus.com