Musk largon qindra punonjës, Twitter humb 4 milionë dollarë në ditë

Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkurtojë fuqinë punëtore, ndërsa kompania po humbet më shumë 4 milionë dollarë në ditë. Gjysma e stafit të kompanisë po largohet, vetëm një javë pasi Musk zyrtarizoi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter.

Stafi i Twitter po shfrytëzon platformën për të folur për largimet nga puna. Shqetësimet janë se mund të zvogëlohet kontrolli i platformës, edhe pse Musk garantoi se politikat e kompanisë mbeten të pandryshuara.

Ndërsa nga raportet që dolën të premten bëhet me dije se mijëra pjesëtarë të stafit të Twitter në mbarë botën po humbasin punën e tyre, pikëpyetjet lidhen me punonjësit që janë përgjegjës për kontrollin e materialeve të dëmshme.

Grupe të sigurisë online dhe aktivistë i kanë sugjeruar Musk që të moderojë politikat, për të mos e bërë Twitter më pak efektiv në kontrollin e gjuhës së urrejtjes apo dezinformimit.

Bllokimet e përhershme të figurave kontroverse, përfshi këtu edhe ish-presidentin Trump, mund të hiqen, dhe këto ndodhin në prag të zgjedhjeve të mes sezonit në SHBA, ku pritet edhe një rritje më e madhe e dezinformimit.

Presidenti Biden shprehu shqetësimin e tij të premten duke thënë se “Elon Musk blen një kompani që nxjerr gënjeshtra në të gjithë botën. Si mund të presim ne që fëmijët tanë të kuptojnë se çfarë është e rrezikshme”, deklaroi ai.

Një email i brendshëm që është shpërndarë në kompani thoshte se shkurtimet janë bërë nga “nevoja për të çuar përpara sukseset e kompanisë”.

Një sërë markash të njohura, si Volksvagen, General Motors dhe Pfizer kanë ndaluar shpenzimet e tyre për reklama në Twitter.

Pothuaj të gjitha të ardhurat e Twitter në këtë moment vijnë nga reklamat dhe Musk po mendon që të ulë kostot dhe të gjejë rrugë të reja përfitimi për platformën, përfshirë edhe planin për pagesën mujore për verifikimin e përdoruesve. /A2CNN

Read Previous

Punëtori i fast food-it zgjohet nga koma me aftësi të jashtëzakonshme artistike

Read Next

Bundesliga/ Bayerni e Dortmundi vazhdojnë me fitore