Murati thotë se fjala korrupsion në raportin e DASh-it është përgjysmuar

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë krahasim se sa herë është përmendur fjala korrupsion në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), krahasuar me vitin 2019. Ai deklaroi se ka pasur përgjysmim të përmendjes së kësaj fjale. Ai mohoi se është hetuar për korrupsion, por vetëm kallëzim penal të dorëzuar nga PDK-ja.

Kështu u është përgjigjur ai partive opozitare në diskutimin që po zhvillohet lidhur me gjetjet e raportit të DASh-it.

“Në vitin 2023 fjala korrupsion në raportin e DASh-it përmendet 12 herë, në vitin 2019 ka qenë 24 herë e përmendur. Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, nëse e shikojmë në suaza kuantitative ka përgjysmim së paku dhe ne e mirëpresim këtë vlerësim, që së paku është vlerësuar që ka përgjysmim të korrupsionit. Megjithatë, nëse hyjmë edhe në cilësi pastaj edhe nëse analizojmë fjalët dhe fjalitë se çfarë është shkruar aty, shohim që në disa raste edhe vet raportuesi ose kush do që ka marrë pjesë në hartim të raportit ka rënë pre edhe e dezinformatave të mediave të cilat ende janë pjesë e gardës së vjetër e madje edhe e disa organizatave të shoqërisë civile, të cilat maskohen si të tilla por në fakt janë zgjatime të gardës së vjetër”, deklaroi ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se asnjëherë nuk ka qenë i hetuar për korrupsion.

“Asnjëherë nuk kam qenë i hetuar për korrupsion. Hetimet që janë zhvilluar ndaj meje kanë qenë për shkak të një kallëzimi penal të dorëzuar nga PDK. Pra, kallëzimi penal i dorëzuar nga PDK e ka iniciuar prokurorinë për të zhvilluar hetime. Dhe pas hetimeve të zhvilluara gati më shumë se një vit, është mbyllur dosja dhe është thënë që nuk ka pasur asnjë shkelje të ligjit. Kjo është situata, kështu që bien edhe më tutje çështja e korrupsionit pra është më e ultë se përgjysmim”, shtoi ai.

Deklarimi i tij është përcjellë me reagime të deputetëve opozitarë, ku Murati tha se nuk ka më monopole për shërbim ndaj oligarkëve.

Më pas ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se pesë ministra janë nën korrupsion.

“Pesë ministra janë nën korrupsion, kjo është një lajm ndërkombëtar për Kosovën. Pesë ministrat e kësaj qeverie, ne mundemi ta trajtojmë qysh të doni. Nëse doni është hedhur kallëzimi penal, nëse dëshironi jo. Por, në anën tjetër bota e sheh si qeveri të korruptuar me pesë ministra të zhytur në afera korruptive. Këtu java javën nuk ta zen aferën. Ne sapo e patëm aferën e faljes së borxhit që deri tash te uji e kemi parë që ka mbërritur deri në dhjetë milionë euro edhe me atë do të ballafaqoheni me një komision hetimor”, tha ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj kritikoi deklarimin e ministrit Murati lidhur me raportin e DASh-it.

“Të thuash që në vitin 2019, 24 herë Departamenti Amerikan i Shtetit ka thanë ‘hajna, hajna, hajna’ dhe të thuhet që ‘neve na kanë thënë 12 herë hajna, hajna, hajna’, kjo me të vërtetë është shqetësuese për ne dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri Murati ka cituar raportin e Freedom Hourse, që dikur përmendte Hashim Thaçin e Ramush Haradinaj si figura të lidhura me korrupsionin.

“Unë nuk e kontestova asnjëherë raportin e Departamentit Amerikan të Shteti, vetëm konstatova dhe i falënderova vlerësimin që e kanë bërë që së paku është përgjysmuar korrupsioni dhe pastaj vazhdova edhe më tej duke treguar që shkon edhe përtej asaj nëse e shohim në aspektin cilësor. Zonja Deliu-Kodra e përmendi raportin e Freedom House, më lejoni të ju tregoj se çka ka thënë raporti Freedom House më herët kur ju keni qenë në Qeveri, ka thënë ‘Thaçi e Haradinaj figura të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsion’, me emër mbiemër është përmendur”, u shpreh ai.

Më pas ka pasur tensione në Kuvendin e Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka kërkuar me ton të lartë që sigurimi t’i largojë nga salla e Kuvendit deputetin e LVV-së, Sali Zyba dhe deputetin e PDK-së, Ferat Shala. Kjo ndodhi për shkak se PDK kërkonte fjalën për reagim ndaj ministrit Hekuran Murati, derisa nënkryetarja Saranda Bogujevci nuk lejoi një gjë të tillë./kp

Read Previous

Media amerikane: Shqipëria mes destinacioneve më ekonomike për t’u vizituar në 2024

Read Next

Pas 22 vjetësh, 1 euro vlen më pak se 100 lekë