Murati: Ministria s’ka marrë vendim për të rritur tatimin, shkallët tatimore i caktojnë komunat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike për ngritjen e vlerës së tatimeve në pronë që ka pasur mijëra ankesa nga qytetarët, ka thënë se “në të kaluarën ka pasur raste të nënvlerësimit të pronave”.

Sipas tij, problemi i çështjes se tatimit është ligji i kaluar në vitin 2018, e për këtë ka thënë se janë njoftuar komunat në muajin tetor të 2022.

“Ministria s’ka marrë asnjë vendim për të rritur tatimin. Shkallët tatimore i caktojnë komunat e MF-ja e ka obligimin ligjor për t’i asistuar në vlerësimin e pronave, ligji e thotë këtë. Njëjtë si vlerësimi për shpronësim. Me sa u njoftova unë sot, ky vlerësim u është dorëzuar komunave qysh në muajin tetor dhe s’ka pas që kanë pasur vërejtje përjashtim 3 komunave”.

Murati nuk i ka pranuar akuzat nga Komuna që kanë fajësuar ministrinë për këtë rritje.

Deklarimet e komunës, ministri i ka quajtur “politikë”.

“Tani që po vendoset nga disa komuna që të bëhet politikë me këtë gjë, e konsideroj që është e ulët dhe nuk i takon një përfaqësuesi të qytetarëve të bëjë gjëra të tilla”.

Ai ka shtuar se me vite të tëra ka pasur raste që “s’ka pasur vlerësim fare” apo edhe “ka pasur nënvlerësim”.

Edhe, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar ndaj ankesave të qytetarëve për rritje të tatimit në prona.

Sipas Ministrisë së Financave, “shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat”.

Ky dikaster ka sqaruar se tatimi në pronë është tatim i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat.

“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat”.

“Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka”, thuhet në njoftim.

Nga ministria është thënë se vlerësimi i përgjithshëm kryhet duke u bazuar në vlerën e tregut.

“Me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë përdor të dhënat si: kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet), intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme, anketime të pronarëve të pronave, intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral, vlera të pronave që janë shpronësuar, të dhëna të qirave dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit”.

Këtë vit është thënë se nuk do të zbatohet zbritja për tokat, “pasi që tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimit të tokave”.

Por, edhe nga Komuna e Prishtinës është thënë se kjo rritje nuk është bërë nga ata.

Të njëjtit kanë fajësuar Ministrinë e Financave.

Lidhur me rritjen e tatimeve në pronë, ka pasur reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale duke e quajtur këtë vendim si “absurd”.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një reagimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka thënë se norma e tatimit është e njëjtë, por Ministria e Financave ka bërë rivleresimin e pronave, duke i vleresuar me lartë. /Albanianpost.com

Read Previous

Stoltenberg: Aleatët do të gjejnë së shpejti zgjidhje për të dërguar tanke në Ukrainë

Read Next

Ministri Mehaj u takua me qytetarët e Gjakovës