Momenti kur forcat ruse rrëmbejnë kryebashkiakun e Melitopolit (VIDEO)

Autoritetet ukrainase kanë publikuar pamjet që tregonin momentin kur forcat ruse kapën kryebashkiakun e Melitopolit, një qytet në Ukrainën juglindore që ra nën kontrollin rus gjatë pushtimit.

Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzoi Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke rrëmbyer kryetarin e bashkisë, Ivan Fedorov.

Rusia nuk ka bërë komente mbi fatin e Fedorov, ndërsa Ukraina thotë se forcat ruse e rrëmbyen atë pasi e akuzuan për terrorizëm.

Pamjet e shpërndara nga autoritetet ukrainase treguan një burrë që thuhet se ishte Fedorov duke u shoqëruar nga një grup burrash me uniformë nga Pallati i Kulturës Taras Shevchenko në Sheshin e Fitores së Melitopolit.

Pas kësaj qindra njerëz protestuan jashtë bashkisë në Melitopol, pas arrestimit të kryebashkiakut Ivan Fedorov nga forcat ruse të premten.

“Liri për kryetarin e bashkisë Fedorov”, brohoriti turma, sipas një videoje të shkurtër nga TV shtetëror ukrainas në faqen e Facebook. Më shumë se 2,000 njerëz u dyndën në ndërtesën e pushtuar duke kërkuar lirimin e zyrtarit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti arrestimin e Fedorov një “krim kundër demokracisë” në një video në Facebook të premten.

“Sot në Melitopol pushtuesit kapën kryebashkiakun e qytetit, Ivan Fedorov, një kryetar bashkie që mbron me guxim Ukrainën dhe njerëzit e komunitetit të tij. Natyrisht, kjo është një shenjë e dobësisë së pushtuesve. Ata nuk gjetën asnjë mbështetje në tokën tonë. Sepse për vite me radhë ata kanë gënjyer veten se njerëzit në Ukrainë gjoja prisnin që Rusia të vinte”, tha ai./a2news.com

Read Previous

Policia shqipton mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku në 24 orët e fundit

Read Next

Nëntë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë