Ministrja Rizvanolli viziton minatorët e lënduar: Qeveria është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar dy minatorët të cilët kanë pësuar lëndime serioze të syve në inicidentin që ndodhi të mërkurën në Minierën e Trepçës.

Rreth orës 13:00, në këtë minierë ka pasur rrjedhje kimike të acidit sulfurik dhe si pasojë janë lënduar 12 minatorë, dy prej të cilëve kanë pësuar lëndime serioze të syve (djegie kimike me acid sulfurik).

“Në Spitalin e Mitrovicës, së bashku me anëtarët e Bordit të ndërmarrjes, vizitova Ramadanin e Nysretin, dy minatorët e lënduar në aksidentin e pasdites së sotme në minierën e Trepçës”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se përkundër lëndimeve të syve, minatorët kishin vullnetin e vendosmërinë për ta tejkaluar këtë sfidë e për t’iu rikthyer punës.

“ Gjithashtu pamë nga afër përkujdesjen profesionale e të ngrohtë të Doktoreshës së ndërrimit, Mimoza Shabani, dhe infermiereve të Spitalit të Mitrovicës, dhe i njoftuam të lënduarit dhe stafin mjekësor se Qeveria e Republikës së Kosovës është në dispozicion për çdo përkrahje të nevojshme për t’u siguruar që minatorët marrin trajtimin më të mirë të mundshëm. Falënderoj stafin mjekësor të Spitalit të Mitrovicës për kujdesin maksimal ndaj të lënduarve”.

Ministrja më tej ka deklaruar se minatorët e tjerë të lënduar, fatmirësisht, kanë pasur lëndime të lehta dhe janë liruar për në shtëpi.

“Nysretit, Ramadanit dhe kolegëve të tyre u urojmë shërim të shpejtë e të plotë”, ka përfunduar Rizvanolli. /Telegrafi/

Read Previous

Policia njofton për tri vjedhje të rënda, hajnat marrin para, armë e stoli ari

Read Next

Kryesindikalisti i minatorëve të Trepçës: Në mungesë të kushteve, minatorët po i bartin pasojat