Ministria e Shëndetësisë publikon udhëzimet për mbrojtje nga temperaturat e larta

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka nxjerrë udhëzime të detajuara për institucionet publike dhe private, me qëllim mbrojtjen e punëtorëve dhe qytetarëve nga temperaturat e larta që pritet të shënohen nga data 11 deri më 15 gusht 2025.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në ditët në vijim pritet rritje e ndjeshme e temperaturave, veçanërisht gjatë orëve të mesditës. Kombinimi i vapës me lagështinë atmosferike mund të rrisë rrezikun për shëndetin, sidomos për grupet më të ndjeshme: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.

Masat mbrojtëse për institucionet publike dhe private

  1. Shmangia e punës në ambiente të jashtme nga ora 11:00 deri në 16:00.
  2. Lirimi nga puna i grave shtatzëna gjatë kësaj periudhe, nëse nuk përmbushen kushtet e rekomanduara për freskim dhe ajrosje.
  3. Punonjësit me sëmundje kronike të punojnë maksimumi 4 orë në ditë.
  4. Përshtatja e orarit të punës në orët e mëngjesit herët ose pasdites vonë, përfshirë mundësinë e punës nga shtëpia.
  5. Sigurimi i ajrosjes së mjaftueshme në ambientet e mbyllura.
  6. Vendosja e pikave të freskimit në vendpunishte të hapura dhe sigurimi i ujit të ftohtë për punëtorët.
  7. Shpërndarja e informacionit mbi mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia.

Masat mbrojtëse për qytetarët

  1. Shmangia e qëndrimit jashtë në kulmin e nxehtësisë.
  2. Konsumimi i ujit të mjaftueshëm dhe shmangia e pijeve të gazuara.
  3. Përdorimi i kapeleve dhe syzeve mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë.
  4. Moslënia e fëmijëve vetëm në veturë, edhe për periudha të shkurtra.

Ministria fton të gjitha institucionet dhe qytetarët të zbatojnë këto masa për të parandaluar pasojat e ekspozimit ndaj vapës ekstreme.

Read Previous

Edhe Zelanda e Re shqyrton njohjen e Shtetit të Palestinës

Read Next

Kosova me ekonomi në rritje, Kurti falënderon Gjermaninë për mbështetje