Ministri norvegjez i Energjisë: Kufiri i çmimit të gazit nuk është zgjidhje

“E respektojmë punën që BE-ja po bën kundër energjisë së shtrenjtë, por nuk është qeveria norvegjeze ajo që shet gazin, janë kompanitë private. Për këtë arsye, mënyra më e arsyeshme për të ndërhyrë është të kemi një kuadër komercial për kompanitë”.

Kështu e ka shpjeguar pozicionin e tij kundër kufirit të çmimit të gazit, ministri norvegjez i Energjisë, Terje Aasland.

Kurse Komisioneri i BE-së për Energjinë, Kadri Simson, ka thënë se “duam të japim siguri dhe parashikueshmëri”.

Në BE ka ende distancime nga një tavan i çmimit të gazit që përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Komisioni ka paraqitur një dokument jozyrtar, në të cilën ka renditur avantazhet dhe disavantazhet e modelit iberik dhe gjithashtu një shkëputje të parë të gazit nga energjia elektrike.

E gjitha kjo përmes ndarjes së kontratave të energjisë elektrike të prodhuar me burime të rinovueshme dhe bërthamore në lidhje me tregun ditor të gazit.

Prodhimi i energjisë elektrike me gaz do të kishte rolin e kundër-balancimit të efektit të paqëndrueshmërisë së prodhimit të burimeve të rinovueshme në pritje të zëvendësimit të plotë të gazit me burime të gjelbra.

Ministri çek Jozef Síkela ka sqaruar se për modelin iberik, “kemi nevojë për propozime konkrete legjislative ose një studim të ndikimit”.

Kurse për ministren franceze Agnès Pannier-Runacherla, “liderët e BE-së kanë dhënë një mandat shumë të qartë dhe unanim, ata i kanë kërkuar Komisionit që shumë shpejt të paraqesë një propozim për këtë çështje”.

Propozimi i mbështetur nga Italia dhe 14 vende të tjera, përfshirë Francën dhe Spanjën, është të vendoset një çmim maksimal për të gjitha importet e gazit në Evropë.

Ndër vendet që kanë kundërshtuar, përveç Norvegjisë, janë Belgjika, Luksemburgu, Austria dhe Gjermania.

Kjo e fundit ka vendosur të fokusohet në një plan prej 200 miliardë eurosh për të mbrojtur kompanitë dhe familjet gjermane nga gazi i shtrenjtë dhe për të ulur çmimin për konsumatorët gjermanë.

/Corriere della Sera /Albanianpost.com

Read Previous

Zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA dhe sfidat ligjore

Read Next

Mbretëria e Bashkuar do të miratojë një kod të ri kundër racizmit në industrinë muzikore