Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul deklaroi sot se qeveria gjermane nuk sheh, aktualisht arsye për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Izraelit apo ndaj ministrave individualë të qeverisë izraelite.
“Në këtë fazë, qeveria gjermane beson se zëri ynë po dëgjohet në Izrael”, tha Wadephul në Berlin gjatë një takimi me homologen e tij hungareze, Anita Orban.
Ai shtoi se masa të mëtejshme nuk janë të justifikuara në këtë moment.
Wadephul iu përgjigj pyetjeve nëse ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutonin sanksione të reja ndaj Izraelit, në takimin e tyre të planifikuar për të hënën e ardhshme, apo nëse Berlini po shqyrtonte vendosjen e masave ndëshkuese ndaj ministrave izraelitë.
Kryediplomati gjerman tha se qeveria e tij po koordinon ngushtë qëndrimet me partnerët evropianë për këtë çështje, por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse tema do të përfshihej në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Ai theksoi se Gjermania ka një qëndrim të qartë për të drejtën ndërkombëtare, dhe se qeverisë izraelite i është bërë e ditur qartë, se Berlini beson se politika e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, është e paligjshme dhe se nuk duhet të vazhdojë.
Përveç kritikave ndaj politikës së vendbanimeve, reagime ndërkombëtare ka shkaktuar edhe një video e publikuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Pamjet tregojnë aktivistë të ndaluar nga një flotilje ndihmash për Gazën, e cila u ndalua nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros në mesin e muajit maj, duke u trajtuar në mënyrë poshtëruese.
Pas publikimit të videos, autoritetet gjyqësore italiane nisën një hetim paraprak, pasi u konfirmua se mes të prekurve kishte edhe aktivistë italianë.
Edhe në Francë është hapur një hetim lidhur me trajtimin e aktivistëve.
Ndërkohë, si ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ashtu edhe kryeministri Benjamin Netanyahu janë distancuar nga sjellja e ministrit të ekstremit të djathtë Ben-Gvir. /ATSH-DPA/