Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul po përpiqet të heqë dyshimet mbi seriozitetin e Gjermanisë përsa i përket garancive të sigurisë për Ukrainën, pasi Berlini nuk pranoi të angazhohej për dërgimin e trupave tokësore në një takim me aleatët perëndimorë javën e kaluar.
“Sigurisht, Gjermania do të japë kontributin e saj për të siguruar garanci sigurie për Ukrainën”, pritet të deklarojë sot Wadephul në një takim vjetor të ambasadorëve gjermanë në Berlin, sipas një transripti të fjalimit të tij.
Megjithatë, ai nuk do të japë më shumë detaje mbi natyrën e saktë të kontributit gjerman.
Javën e kaluar, i ashtuquajturi “koalicioni i të vullnetshmëve”, një aleancë prej rreth 35 shtetesh perëndimore e udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe, tha se 26 vende ishin të përgatitura të dërgonin trupa në Ukrainë për të siguruar një armëpushim ose marrëveshje paqeje dhe për të mbrojtur Kievin nga agresioni i ri rus.
“Vendet ranë dakord të dislokojnë trupa tokësore ose forca ajrore apo detare”, tha të enjten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Megjithatë, detajet mbi pjesëmarrësit, numrin e trupave dhe rolet e tyre nuk u bënë të ditura.
Pas këtij njoftimi, një zëdhënës i kancelarit Friedrich Merz tha se “Gjermania nuk ishte e përgatitur të angazhohej për pjesëmarrje në këtë fazë. Së pari, fokusi duhet të jetë tek financimi, armatimi dhe trajnimi i forcave të armatosura ukrainase”, shtoi ai. /ATSH-DPA/