Media franceze: Shqipëria, një yll në ngjitje të Mesdheut

Këta turistë së shpejti do të notojnë të lumtur. Qielli i pastër blu, me mbi 300 ditë në vit me diell, këtu mund të përjetoni “Dolçevitën” e rivierës shqiptare.

Kështu nis reportazhi i televizionit francez “M6 Info”, që udhëton përgjatë bregdetit shqiptar dhe e konsideron vendin tonë një yll në ngjitje në turizmin e Mesdheut.

Udhëtimi i një grupi të rinjsh me kapitenin Enea nis nga Himara drejt Shpellës së Piratëve, aty ku mund të eksplorojnë thesaret e bregdetit Jon.

Me të mbërritur në destinacionin e parë, turistët provuan ujin e kristaltë pranë Shpellës së Piratëve.

Televizioni francez “M6 Info” thekson në reportazh se Shqipëria, që ndodhet mes Greqisë dhe Italisë, shumë persona e krahasojnë me Maldivet.

“Uji është shumë i ngrohtë dhe vërtet bukur.”

“Është pikërisht ashtu siç e imagjinoja. Është shumë bukur.”

“Më duket magjike.”

Në një dekadë, vendi ka trefishuar numrin e tij të vizitorëve, nga 4 në 12 milionë turistë në vit.
Megjithatë, turistët francezë zgjedhin ta vizitojnë Shqipërinë edhe jashtë sezonit veror, edhe në periudhën e vjeshtës, kur ditët me diell nuk mungojnë.

Në reportazh flet për Shqipërinë edhe një operator turistik francez, që thekson se bashkëkombasit e tij po e preferojnë vendin tonë gjithnjë e më shumë.

“Francezët përfaqësojnë 100% të hotelit në periudhat e muajve prill, maj dhe tetor. Pra, kemi në dispozicion të gjitha 130 dhomat e hotelit”, tha François Perrin, Operator Turistik Francez

Jo vetëm për turizëm, por shtetasit francezë po e shohin Shqipërinë edhe si një vend për të investuar në pasuri të paluajtshme. /tvklan.al

Read Previous

Zbulohet klauzola sekrete në kontratën e Harry Kane

Read Next

SHBA-ja planifikon të reduktojë numrin e trupave në Evropë