Mbyllja e parë totale në Turqi

Në këtë periudhë vitin e kaluar, Turqia ishte parë si storie e suksesit për masat e hershme të marra për të luftuar koronavirusin dhe madje edhe ishte përgëzuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një vit më pas, Turqia është një nga vendet që është prekur më së rëndi nga COVID-i, me përqindjen më të lartë të infeksionit aktualisht në Evropë.

Ankara ka shifrën relativisht të ulët të numrit të vdekjeve, rreth 39 mijë, dhe autoritetet thonë se pandemia është ende nën kontroll, falë sistemit të fortë shëndetësor në vend. Por rritja e numrit të rasteve është shqetësuese.

Pas një periudhe të dytë të masave kufizuese në nëntorin e kaluar, numri i rasteve ditore ka rënë në rreth 6000 në një periudhë në mesin e shkurtit.

Por, me të nisur zbutja e masave në mars, ka goditur vala e re në Turqi.

Qeveria mori vendim për të rikthyer masat kufizuese në fillim të prillit, por nuk ka mjaftuar për të parandaluar përhapjen.

Në kulmin në prill, kishte më tepër se 60 mijë raste të reja pozitive në ditë dhe më tepër se 300 vdekje.

Sipas kritikëve, Qeveria ka hequr masat tepër herët dhe procesi i vaksinimit nuk ka shkuar mjaftueshëm shpejtë.

Më tepër se 22 milionë persona janë vaksinuar deri më tash në Turqi, një shtet me 82 milionë banorë.

Turqia kryesisht përdor vaksinën kineze Sinovac, si dhe ka edhe një sasi relativisht të vogël të dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, dje ka njoftuar se është arritur marrëveshja për të blerë 50 milionë doza të vaksinës ruse Sputnik V, dhe se pritet të aprovohet kjo vaksinë për përdorim emergjent së shpejti.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, më në fund ka vendosur për mbyllje të plotë, që do të hyjë në fuqi nga sot në ora 19:00 me kohë lokale dhe do të jetë në fuqi deri më 17 maj.

Sipas masave të reja qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi me përjashtim të daljeve esenciale, si blerje të ushqimeve apo tretman emergjent mjekësor, udhëtimet mes qyteteve do të mund të bëhen vetëm me një aprovim zyrtar, shkollat do të mbyllen dhe do të lejohet numër i kufizuar i qytetarëve në transport publik.

“Në një kohë kur Evropa është duke u futur në fazën e rihapjes, ne duhet të reduktojmë në mënyrë të shpejtë rastet në nën 5000, e jo të mbesim prapa”, ka thënë Erdogan.

Masat do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit të Ramazanit e po ashtu festës së Fitër Bajramit./GazetaSinjali

Read Previous

ATK jep mbi 60 mijë euro për të siguruar vetura zyrtare

Read Next

Pritet të dëgjohen edhe dy dëshmitarë në rastin ku Gani Geci po akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit