Mbi 158 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore

Mbi 158 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Drejtues të Ministrisë se Arsimit kanë bërë të ditur se procesi i aplikimit është duke vazhduar pa ndonjë problem dhe se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur numri i aplikimeve. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026.

Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit për aplikimin e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore, kanë aplikuar mbi 158 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë. Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Anita Kadriu, në një përgjigje për Radio Kosovën ka dhenë detaje rreth këtij procesi. 

“Procesi për aplikim për subvencionimin me tekste mësimore dhe materiale shkollore për nxënësit e Kosovës nga niveli I deri në IX, deri me tani, që nga dita e hapjes ka rrjedh me sukses. Nuk ka pasur ndonjë problema apo pengesë në sistem, ndërkohë që prindërit iu kanë përgjigj ftesës së Ministrisë së Arsimit që të aplikojnë më shumë sesa vitin e kaluar, kësaj here kanë qenë më të përgjegjshëm. Deri sot 7 gusht kanë aplikuar gjithsej 158 mijë e  103 prindër dhe kujdestarë ligjorë”, tha Anita Kadriu.

Po ashtu, Kadriu teksa ka përsëritur thirrjen drejtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të aplikojnë sa më parë, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që nxënësit të pajisën me kohë me tekste shkollore.

“Ministria e Arsimit edhe njëherë iu bën thirrje të gjithë prindërve të Kosovës dhe kujdestarëve ligjorë, që ta përfundojnë aplikimin sa më parë, në mënyrë që ne si ministri të kemi mundësi që me kohë të transferojnë mjetet financiare në xhirollogaritë e tyre dhe ata të kenë mundësi t’i blejnë tekstet para se të fillojë viti i ri shkollor në shtator. Si ministri, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura që 1 shtatori të fillojë dhe nxënësit të jenë të pajisur të gjithë me tekste mësimore. Por, këtu na duhet pak edhe mbështetja e prindërve që të jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të aplikojnë sa më parë”, tha ajo.

Tutje, ajo bëri të ditur se për herë të parë këtë vit të drejtë aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore do të kenë edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit. Ministria e Arsimit po vazhdon grumbullimin e  të dhënave nëpër shkollat e vendit. /Radio Kosova

Read Previous

Qytetari nga Gjakova dorëzon në Polici zarfin me 3,800 euro të gjetura

Read Next

Aksident i rëndë trafiku në Korenicë të Gjakovës