Ministria e Financave e Banka Botërore me marrëveshje 96 milionëshe
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit ka reaguar lidhur me rastin e dhunës që ndodhi dje në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke e konsideruar çdo formë të dhunës në institucione arsimore si të papranueshme. Ministria thekson se shkolla duhet të jetë një mjedis i sigurt, ku mbizotëron respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për stafin mësimor.
Sipas MASHTI-t, rastet e dhunës ndikojnë jo vetëm te nxënësit, por edhe te mësimdhënësit, stafi tjetër, prindërit dhe komuniteti shkollor në përgjithësi, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor. Ministria thekson se asnjë rast dhune nuk duhet të anashkalohet ose relativizohet.
MASHTI rikujton se parandalimi i dhunës është përgjegjësi e përbashkët e shkollës, prindërve dhe institucioneve arsimore.
”Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla. Shkollat kanë obligim që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA). Mosraportimi i rasteve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale”, thotë MASHTI.
Tutje thuhet se Drejtoritë Komunale të Arsimit mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e masave edukativo-arsimore.
“Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, e cila që nga viti 2016 ka të miratuar Rregulloren për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme, ka obligim të qartë ligjor që të sigurojë zbatimin e masave edukativo-arsimore të parapara me këtë akt dhe aktet e Ministrisë së Arsimit. Çdo neglizhencë, vonesë apo mosveprim nga ana e DKA-së nënkupton dështim institucional dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat që krijohen në shkolla”, thuhet në reagim .
MASHTI ka bërë të ditur se pas raportimeve për rastin në shkollën “Pavarësia”, Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë, duke dalë në terren dhe duke koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.
MASHTI konfirmon përkushtimin e saj për të krijuar një mjedis shkollor të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë nxënësit dhe stafin, duke forcuar mekanizmat për komunikim, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së pjesëmarrësve në procesin arsimor. /RTKlive