Macron: Do të dërgojmë raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

Franca do t’i bashkohet Britanisë në dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, tha sot presidenti francez Emmanuel Macron, të cilat do t’i lejojnë forcat ukrainase të synojnë trupat dhe logjistikën ruse thellë pas vijave të frontit.

Me të mbërritur në samitin e NATO-s në Lituani, Macron tha se kishte vendosur të rriste ndihmën ushtarake për Ukrainën për ta ndihmuar atë në kundërofensivën e saj.

“Kam vendosur të shtoj dërgesat e armëve dhe pajisjeve për t’u siguruar ukrainasve kapacitetin për goditje të thella”, tha Macron, duke refuzuar të specifikojë numrin e raketave që do të dërgohen.

Ukraina ka kërkuar prej muajsh raketa me rreze më të gjatë veprimi, por Shtetet e Bashkuara, furnizuesi kryesor i saj, deri më tani ka refuzuar t’i dërgojë ato.

Në maj, Mbretëria e Bashkuar tha se po dërgonte raketa tokë-ajër franko-britanike Storm Shadow të prodhuara nga MBDA. Versioni i tyre francez SCALP ka një distancë prej afërsisht 250 kilometra.

Macron tha se dërgimi i raketave do të ishte në përputhje me politikën e Francës për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë territorin e saj, duke nënkuptuar se Parisi kishte marrë garanci nga Kievi se raketat nuk do të përdoreshin për sulme në Rusi.

/Telegrafi/

Read Previous

“A do të rebeloheshe kundër krijuesit tënd”, kjo ishte përgjigjja që dha roboti Ameca gjatë një samiti

Read Next

Kujtohet poeti, dramaturgu e atdhetari Andon Zako Çajupi