Lajçak me zyrtarin e lartë të OSBE-së flasin për përfshirjen e pakicave në të gjitha sferat e jetës në Ballkan

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me Komisionerin e Lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Pakicat Kombëtare, Kairat Abdrakhmanov, ku kanë folur për angazhimet e pakicave në të gjitha sferat e jetës në Ballkan.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Lajçak, përmes një postimi në platformën X.

“Jam i kënaqur të mirëpres kolegun tim prej kohësh Kairat Abdrakhmanov në Bruksel për një përditësim të hapur dhe të thellë mbi punën tonë përkatëse. Ndër të tjera, diskutuam rëndësinë e sigurimit të pjesëmarrjes efektive të pakicave kombëtare në të gjitha aspektet e jetës në Ballkan”, shkroi diplomati sllovak.

Ndryshe, Lajçak, të hënën, pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serisë, Petar Petkoviç, ka thënë se pret që javën tjetër të gjendet një zgjidhje për çështjen e dinarit.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme. Javën e ardhshme ne ramë dakord të mblidhemi sërish me ambicien për të gjetur një zgjidhje”, shkroi ai në platformën X. /AlbanianPost.com

Read Previous

Zbulohet koha kur Real Madridi do ta njoftojë nënshkrimin e Mbappes

Read Next

Ambasadori Malaj: Dhimbja në Krushë të Madhe preku çdo cep të Kosovës, Shqipërisë dhe botës mbarë