Kurti: Të gjithë jemi të pikëlluar e të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas humbjes të kombëtares së Kosovës në ndeshjen kundër Turqisë, duke humbur kështu edhe rastin për t’u kualifikuar për Botërorin 2026. 

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se fakti që Kosova ishte kaq pranë kualifikimit tregon “sa afër madhështisë jemi.”

“Dhe shpejt, aty do të jemi. Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje”- ka shkruar ai, duke postuar në Facebook disa fotografi nga ndeshja.

Kurti postimin e filloi me pikëllimin se të gjithë janë ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”. 

“Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu”- ka shkruar ai, më 01.04.2026.

Ai u shpreh mirënjohës ndaj lojtarëve të Kosovës për emocionet e jashtëzakonshme duke shtuar se Kosova do jetë përherë mirënjohës ndaj tyre.

Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të kualifikohet për Kupën e Botës 2026 pasi më 31.03.2026 është mposhtur nga Turqia në ndeshjen vendimtare të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Golin e vetëm dhe të fitores për mysafirët e shënoi K. Akturoglu në minutën ’53.

Kampionati Botëror në futboll do të zhvillohet në tri shtete: SHBA, Kanada dhe Meksikë. /Kallxo.com

Read Previous

Trump thotë se lufta me Iranin mund të përfundojë brenda ‘dy javësh’, me ose pa marrëveshje

Read Next

“Sporti ngrit shtetin dhe rikthen shpresën”​, mesazh i fortë nga Driton Kuka