Kurti: Policët në veri përkundër provokimeve dëshmuan sjellje dhe përkushtim për mbrojtje të sovranitetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Policinë e Kosovës, për angazhimin gjatë 13 ditëve në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Kurti këtë e ka thënë gjatë takim bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku pritën stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës, në krye me Drejtorin e Përgjithshëm, Samedin Mehmetin – pas realizimit me sukses të planifikimeve operacionale dhe zbatimit të vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, e në veçanti për angazhimet në pjesën veriore.

Kurti u shprehu mirënjohje të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve, si dhe dëshmuan se Policia e Kosovës është e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj.

“Me këtë vetëmohim e qëndrim profesional në çdo veprim të çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit e qetësisë publike dhe lëvizjes së lirë, duke garantuar kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurtë”, tha Kurti.

“Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe përkushtimin maksimal, sidomos të Njësisë Speciale të Kosovës, e cila me sjelljen e dinjitetshme përkundër provokimeve të lloj-llojshme, dëshmoi se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim” thuhet në kumtesën e Zyres së Kryeministrit.

/KlanKosova.tv/

Read Previous

2 të vdekur, dhe 23 raste të reja me COVID në 24 orët e fundit

Read Next

Vdes një fëmijë 10 vjeçar në Malishevë, familjarët e gjetën në kabinë të kamionit