Kryeministri Kurti e riemëron ​Arben Vitinë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot është emëruar sërish ministër i Shëndetësisë me vendim të kryeministrit Albin Kurti. MSH ishte pa zot shtëpie që nga nga 6 tetori, kur Rifat Latifi dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Kjo nuk ishte e para herë që Kurti e kishte lënë këtë sektor pa ministër. Tri herë brenda pak kohësh Vitia erdhi e shkoi, por përfundoi prapë në karrigen e ministrit, pasi siç duket Kurti nuk gjeti më mirë.

Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në tetor të vitit të kaluar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar në Komunën e Prishtinës – garë të cilën e kishte humbur kundër kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia kishte shërbyer si ministër i Shëndetësisë edhe në Qeverinë Kurti 1 më 2020.

Pas dorëheqjes së tij, rreth një muaj më vonë, ministër i Shëndetësisë ishte emëruar Rifat Latifi. Por, ky i fundit dha dorëheqje më 6 tetor, gati një vit pas marrjes së detyrës.

Që nga atëherë, Kosova ishte me ushtruese detyre të ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në shtator kishte themeluar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi i cili udhëhiqet nga kryeministri Kurti.

Sipas vendimit të Qeverisë, disa nga përgjegjësitë e këtij komisioni janë zhvillimi i sistemit informativ i sistemit shëndetësor, në të gjitha nivelet e sektorit publik dhe privat, analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi si dhe reforma tjera në sistemin shëndetësor të Kosovës. /GazetaSinjali/

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/kryeministri-kurti-emeron-arben-vitia-minister-per-shendetesi-2/

Read Previous

Ben-Meir pas zhvillimeve të fundit në Veri: SHBA dhe BE të fillojnë bisedimet me Kurtin e Vuçiç-in

Read Next

Detaje nga takimi i Kurtit me KFOR-in e EULEX-in: Liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe s’duhet të ketë barrikada