Kurti diskuton me 4 kongresmenë amerikanë për Xhandarmërinë: S’është zëvendësim i KFOR-it, por bashkëpunëtore e afërt me të

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar një takim virtual me katër kongresistë amerikanë, të cilët së fundmi kanë paraqitur dy rezoluta në mbështetje të Kosovë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim morën pjesë kongresistët Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer.

Kurti i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për paraqitjen e Rezolutës 1246, që mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe Rezolutës 1250, e cila kërkon vazhdimin e kontributit të forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.

“Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Sipas ZKM-së, Kurti theksoi se prania e NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i vendit në aleancë mbeten prioritete kyçe të Qeverisë.

“Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO”, thuhet më tej.

Në takim u diskutua edhe për bazën ushtarake amerikane Bondsteel.

“Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane”, njofton ZKM-ja.

Kurti i informoi kongresistët edhe për hapat e parë drejt krijimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

“Ai i informoi kongresistët se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, ndërsa theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, si p.sh. luftimi i kontrabandës dhe terrorizmit, e po ashtu ruajtja e infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftim.

Kurti theksoi se Xhandarmëria “nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të”.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë”, përfundon njoftimi./reporteri

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Tkurrja demografike, Shqipëria rekord negativ në Evropë