Konjufca për “Ballkanin e Hapur”: E ardhmja e Kosovës është në BE dhe NATO, jo në iniciativat e Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me këshilltarët, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Gjatë takimit, ndër të tjera, u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Kreu i Kuvendit falënderoi presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtendërtimit.

Konjufca përsëriti qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së BE-së.

“Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Konjufca.

Presidenti Meta konfirmoi zotimin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

Kryetari Konjufca dhe presidenti Meta ritheksuan nevojën e bashkëpunimit intensiv dhe bashkërendimit më të ngushtë të politikave zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen. ​/Telegrafi/

Read Previous

Eurodeputeti austriak bën thirrje për liberalizim të vizave për Kosovën

Read Next

Kurti: Sot përkujtojmë jetët e humbura të grave dhe vajzave si pasojë e dhunës