Kongresistja republikane kërkon sqarime se a mund të ketë edhe “turistë amerikanë” që vr*në njerëz gjatë rrethimit në Sarajevë

Kongresistja republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anna Paulina Luna, ka reaguar pasi prokuroria në Milano nisi hetim pas pretendimeve se të pasurit nga disa vende kanë paguar për vrasje me snajper të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës nga viti 1992 deri në 1995.

Ajo bëri të ditur se ka iniciuar që këto pretendime të hetohen edhe në SHBA dhe se është në kontakt me Konsullatën e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe me Ambasadën e Italisë në SHBA.

“Pagesa për të qëlluar civilë, e akoma më keq për fëmijë, është një nivel i së keqes që vendi ynë nuk mund ta tolerojë dhe nuk do ta tolerojë. Si qeveria italiane, ashtu edhe ajo boshnjake do të ndajnë të gjitha informacionet për të gjithë amerikanët që mund të jenë të përfshirë. Nëse ka amerikanë të përfshirë, ata meritojnë të akuzohen dhe të ndiqen penalisht”, deklaroi ajo.

Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj disa italianëve që dyshohet se kanë paguar anëtarë të ushtrisë serbe të Bosnjës për udhëtime në Sarajevë, në mënyrë që të mund të vrisnin civilë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990, raporton “The Guardian“, përcjell Reporteri.net.

Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe zjarri i snajperëve midis viteve 1992 dhe 1996, gjatë asaj që konsiderohet si rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, sepse ata qëllonin njerëzit nëpër rrugë, përfshirë fëmijë.

Grupe italianësh dhe shtetasish të tjerë të huaj, të ashtuquajtur “turistë snajperë”, dyshohet se morën pjesë në masakër pasi paguan shuma të mëdha parash ushtarëve të ushtrisë së Radovan Karaxhiçit, ish-udhëheqësit serb të Bosnjës, i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit, që t’i çonin në kodrat përreth Sarajevës për të qëlluar mbi popullsinë civile për qejf. /Reporteri.net/

Read Previous

Në Gjermani arrihet pajtueshmëri për shërbimin e ri ushtarak

Read Next

Kina lëshon “ujqërit robotë” si makineri lufte