Kombëtarja luan miqësore me Estoninë në vend të sfidës me Rusinë

Kombëtarja shqiptare do të luajë një miqësore me Estoninë, më 13 qershor. Pas marrëveshjes mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj Estoneze, takimi do të zhvillohet në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”.

Në këtë datë ishte planifikuar më parë që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA për pezullimin e Rusisë, FSHF vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore.

Po në qershor, Shqipëria do të luajë më 6 qershor me Islandën në transfertë dhe më 19 qershor me Izraelin në shtëpi, që të dyja sfida të vlefshme për Nation League.

Kjo do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Estonia do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën të dyja përfaqësueset janë ndeshur tri herë me njëra-tjetrën, në të tria rastet për ndeshje miqësore.

Sfida e parë Shqipëri-Estoni është luajtur më 15 nëntor 2003 në Tiranë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga Adrian Aliaj dhe Alban Bushi. Përballja e dytë është ajo e 28 prillit e luajtur në Talin të Estonisë dhe përfundoi në barazim 1-1. Goli për Shqipërinë u shënua nga Adrian Aliaj. Ndërsa sfida e tretë, Estoni-Shqipëri është zhvilluar më 14 nëntor 2009 dhe ka përfunduar në barazim 0-0. Edhe kjo miqësore u luajt po në Talin./A2news/

Read Previous

Zelensky: Operacioni rus dështoi, armë me lazer në vend të raketave

Read Next

Trashëgon makinën e Schumacher, Lirim Zendeli kthehet në Formula 3