• 1 July, 2022

Zelensky: Operacioni rus dështoi, armë me lazer në vend të raketave

Mbi 900 ushtarët ukrainas, të cilët qëndruan për më shumë se dy muaj në tunelet nëntokësore të uzinës së çelikut në Azovstal, janë dërguar në një qendër burgimi në një zonë të kontrolluar nga rusët në Donetsk.

Ukraina urdhëroi trupat të dorëzohen si pjesë e një marrëveshje të arritur mes palëve, në përpjekjen për të shpëtuar jetën e mbrojtësve të qytetit. I fundit që ngriti flamurin e bardhë ishte zëvendëskomantanti i batalionit Azov, me pseudonimin Alina, e me gjithë komandantët e tjerë të forcave të rezistencës besohet të jenë ende në bunkerë.

Nga Kievi nuk ka shumë informacione mbi fatin e tyre po Ministria e Mbrojtjes tha se shpreson për një procedurë shkëmbimi ushtarësh, për lirimin sa më të shpejtë të heronjve. Ndërsa rusët shpallën fitoren strategjike në Mariupol, presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi fushatën e agresionit në vendin e tij një gabim katastrofik dhe dështim të madh për Moskën. Sipas tij, ushtria ruse kishte ezauruar raketat dhe tani po përdorte armë me lazer kundër forcave ukrainase.

“Sot, përfaqësuesit e shtetit rus thanë se pushtuesit kishin filluar të përdornin armë me lazer në Ukrainë për të kursyer raketat. Në propagandën naziste përdorej një term: armët e mrekullisë. Sa më e qartë bëhej se nuk kishin mundësi ta fitonin luftën, aq më shumë shtohej propaganda mbi një armë të mrekullueshme, e cila do të ishte aq e fuqishme sa do të shënonte kthesën në luftë. Kështu po shohim se në muajin e tretë të luftës Rusia po përpiqet të gjejë armën e mrekullisë; e që na qenka lazeri. Kjo tregon qartë dështimin total të misionit”, tha Zelensky.

Rusia vijon ofensivën në rajonin lindor të Donbasit, ku të paktën 10 civilë mes të cilëve edhe 2 fëmijë humbën jetën gjatë orëve të fundit. Por, sipas një zyrtari të NATO-s, i cituar në CNN ofensiva ruse ka ngecur dhe kursi i luftës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, në favor të Ukrainës. Madje sipas tij, debati që po zhvillohet brenda aleancës është nëse Kievi mund të rimarrë edhe rajonet e Krimesë dhe Donbasit, të pushtuara nga Rusia dhe separatistët pro rusë në 2014-n.

Të enjten një ushtar 21-vjeçar rus u vetëdeklarua fajtor për vrasjen e një qytetari të paarmatosur, në gjyqin e parë për krime lufte në Ukrainë që prej nisjes së agresionit të Moskës. OKB-ja bëri të ditur në përditësimin e fundit, se kishte regjistruar 3778 viktima civile në Ukrainë, 251 prej të cilëve fëmijë. /A2news/

Read Previous

Të premten betohen ushtarët e rinj të Kosovës

Read Next

Kombëtarja luan miqësore me Estoninë në vend të sfidës me Rusinë