Kina ul normën e kredive hipotekore, teksa thellohet kriza e pasurive të paluajtshme

Banka Qendrore e Kinës ka ulur normën e kredive hipotekore, teksa zyrtarët punojnë për të mbështetur tregun e pasurive të paluajtshme, i cili është goditur nga kriza.

Banka Popullore e Kinës uli normën kryesore të kredisë pesëvjeçare me 1.5 pikë përqindjeje, duke shënuar kështu uljen më të madhe të kësaj norme të regjistruar ndonjëherë.

Ekonomia e dytë më e madhe e botës po përballet me një krizë në tregun e pasurive të paluajtshme, e cila ka bërë që shumë projekte ndërtimi të pezullohen përkohësisht.

Izolimet e shkaktuara nga politika strikte zero-Covid e këtij vendi po prekin gjithashtu bizneset dhe konsumatorët.

Të hënën, Banka e Kinës uli normën pesëvjeçare në 4.2%, e cila do të reduktojë koston e shlyerjes së kredive hipotekore në të gjithë vendin.

Banka uli gjithashtu normën kryesore të kredisë njëvjeçare, e cila zakonisht përdoret për të përcaktuar kreditë e korporatave, nga 3.7% në 3.65%.

Iris Pang, kryeekonomistja për Kinën e Madhe në ING Bank, tha se këto lëvizje janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbështetur industrinë e pasurive të paluajtshme.

“Në të njëjtën kohë, disa qeveri vendore kanë filluar të japin hua për zhvilluesit e pronave, në mënyrë që ata të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të papërfunduara,” tha ajo të hënën.

“Të dyja këto masa së bashku duhet të zvogëlojnë shqetësimet e huamarrësve ekzistues të kredive hipotekore,” shtoi ajo.

Kriza e sektorit të pasurive të paluajtshme në Kinë vlerësohet të ketë reduktuar vlerën e këtij sektori me më shumë se një trilion dollarë gjatë vitit të kaluar.

Shitjet e shtëpive në Kinë kanë rënë për 11 muaj rresht, sipas të dhënave zyrtare. Kjo është rënia më e zgjatur në kohë, që kur Kina krijoi tregun e pronës private në fund të viteve 1990.

Disa zhvillues kinezë kanë ndaluar ndërtimin e shtëpive të cilat ishin shitur paraprakisht, për shkak të shqetësimeve për gjendjen e tyre financare.

Qindra blerës të këtyre shtëpive kanë kërcënuar se do të ndalojnë pagesat e kredive të tyre hipotekore, derisa të rifillojë puna.

Ndërkohë, qeveria kineze ka sinjalizuar se vendi mund të humbasë objektivin e rritjes ekonomike vjetore prej 5.5%.

Byroja Politike – organi më i lartë politik i Partisë Komuniste në pushtet – nuk e përmendi objektivin zyrtar të rritjes ekonomike pas takimit të saj tremujor për ekonominë, të mbajtur në korrik. Në përfundim të takimit, u tha vetëm se udhëheqësit “do të përpiqen të arrijnë rezultatet më të mira të mundshme”.

Javën e kaluar, kryeministri kinez Li Keqiang tha se qeveria do të ndërmarrë më shumë hapa për të rritur konsumin dhe për të shtuar investimet në vend.

Kjo deklaratë erdhi pasi treguesit për konsumin dhe prodhimin pësuan një ngadalësim të papritur./ BBC/

Read Previous

Shqiptarët e përdorin internetin më pak se të gjithë në Europë, për të lexuar lajme online

Read Next

Klubi i Premier League eliminohet nga kupa nga skuadra e kategorisë së katërt