Pekini zyrtar ka njoftuar të mërkurën një paketë masash ndaj Shteteve të Bashkuara dhe kompanive amerikane, duke i cilësuar ato si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të fundit të Uashingtonit zyrtar kundër kompanive kineze.
Sanksionet reciproke vijnë vetëm pak javë përpara samitit të pritshëm mes presidentit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pritet të mbahet muajin e ardhshëm në SHBA.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë po përpiqen të ruajnë atë që e kanë quajtur “stabilitet strategjik konstruktiv”, ndërsa rivaliteti teknologjik mes tyre po intensifikohet.
Ministria kineze e Tregtisë ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj disa subjekteve amerikane, përfshirë një kompani të bioteknologjisë dhe një kompani të analizës së burimeve natyrore. Gjithashtu, ajo ka shtrënguar kontrollet e eksporteve për dronët dhe komponentët e teknologjitë që lidhen me to drejt SHBA-së.
Sipas ministrisë, gjashtë kompani amerikane janë shtuar në të ashtuquajturën listë të kundërmasave të Kinës, si reagim ndaj vendimit të SHBA-së javën e kaluar për të ndaluar importet nga 43 kompani kineze, të akuzuara për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj ujgurëve dhe grupeve të tjera minoritare.
Një kompani e shtatë është përfshirë në listë si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC) të SHBA-së, i cili muajin e kaluar ndaloi importin e robotëve të rinj humanoidë dhe robotëve katërkëmbësh, që prodhohen kryesisht në Kinë, si edhe të konvertuesve të energjisë.
Subjektet dhe individët brenda Kinës nuk do të lejohen të bëjnë biznes apo të bashkëpunojnë me kompanitë e futura në këtë listë.
Komisioni Federal i Komunikimeve kishte ndaluar që në dhjetor të vitit të kaluar importin dhe shitjen e modeleve të reja të dronëve dhe pajisjeve kritike të prodhuara nga kompani të huaja, përfshirë ato kineze, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare. Kina, e cila është prodhuesi më i madh i dronëve në botë, ka forcuar kontrollet mbi eksportin e këtyre produkteve gjatë viteve të fundit.
Masat e Pekinit të shpallura të mërkurën përfshijnë gjithashtu nisjen e një hetimi për sigurinë kombëtare lidhur me pajisjet e zyrave të importuara që përdorin softuerë të huaj, si dhe pezullimin e një pjese të bashkëpunimit me SHBA-në për inspektimin dhe gjurmimin e prodhimit në fabrika.
Një zëdhënës i ministrisë së Tregtisë ka thënë se Pekini “nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte kundërmasa të nevojshme” në përgjigje të veprimeve të fundit amerikane kundër kompanive kineze.
“Kina i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të shfuqizojnë menjëherë masat përkatëse, të ndalojnë veprimet e tyre të gabuara dhe të punojnë së bashku për të ruajtur një marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme mes Kinës dhe SHBA-së”, ka thënë zëdhënësi.
Përveç ndalimit të importeve të robotëve të rinj dhe konvertuesve të energjisë, si dhe futjes në listën e zezë të kompanive kineze të akuzuara për lidhje me punën e detyruar, administrata Trump javët e fundit ka vendosur sanksione edhe ndaj operatorëve kinezë të transportit detar, të cilët dyshohet se transportojnë karburant iranian.
Gjithashtu, ajo ka shtuar institucione të reja, përfshirë dy nga universitetet më të mëdha civile të Kinës, në listën e zezë të Pentagonit. /Koha.net/