KB “Ylli” shpallet kampion i Superligës së basketbollit kosovar

Ylli është bërë kampion i Kosovës për stinorin 2021/22 duke triumfuar në një ndeshje dramatike në Minatori të Mitrovicës ndaj Trepcës, 64-70.

Suharekasit kështu kanë arritur të mbrojnë titullin e kampionit të fituar në stinorin e kaluar, pasi që fitoi serinë finale të PlayOffit të Superligës me rezultat 3-1 në ndeshje.

Një super-ndeshje e ngushtë në rezultat me mbrojtje të forta dhe asnjë pikë e lehtë e shënuar në ndeshje, ka përfunduar me fitoren e suharekasve të drejtuar nga Adis Beciragic, derisa Ylli i Suharekës ka fituar titullin e dytë me radhë të kampionit të Kosovës në basketboll.

Dajuan Graf ka shkëlqyer në këtë ndeshje. Ai ka luajtur me double-double prej 15 pikëve dhe 13 kërcime, plus 5 asistime në fitoren e ekipit të tij.

Amerikani i ardhur nga kampionati i ndërprerë ukrainas ka kryer lojën me indeks efiçence, 27!

Më efikasi te Ylli ka qenë Erjon Kastrati. Erjoni shënoi 21 pikë, ndërsa dha 2 nga 6 tentime për tri pikë, derisa bëri edhe 5 kërcime e 1 asistim në fitore, duke llogaritur këtu një treshe të shënuar në momentet e fundit të lojës.

Mikaile Tmusic luajti me 16 pikë, 4 prej të cilave i shënoi jashtë vijës 7.65m prej 13 tentimeve që i bëri. Gëzim Morina dha 11 pikë në fitore, ndërsa Henrik Sirko përkundër se u ndalë në 3 pikë, bëri edhe 4 kërcime e 2 asistime në duelin, që doli të jetë vendimtar për titull.

Te Trepça e drejtuar nga Ljubomir Minchev, që luajti finalen e tretë të stinorit, Andrew Gordon me double-double ka qenë më i dalluari, përkundër se luajti vetëm 24 minuta! Ai kreu lojën me 17 pikë e 12 kërcime.

Rodney Purvis me disa tentime jo të sakta në momente kyqe, kreu lojën me 14 pikë, ndërsa Drilon Hajrizi luajti me 6 pikë, 7 asistime e 9 kërcime sonte.

Corban Collins shënoi 6 pikë e Amin Hot 8, për të mbyllur kështu stinorin 2021/22 si nënkampionë të Kosovës.

Kujtojmë, Ylli dhe Trepça kanë qenë ekipet më të mira edhe në stinorin e rregullt të Superligës, pasi që përfunduan i pari dhe e dyta në renditje, përkatësisht. Gjithashtu, pos ndeshjes së dytë të serisë finale të PlayOffit që kaloi “lehtë” për Yllin, të gjitha duelet tjera të serisë kanë qenë të ngushta dhe janë fituar me shumë luftë, për të përfunduar gjithçka sonte, me 3-1 në të mirë të Yllit.

/TopSporti/

Read Previous

Kosova e mposht Qipron në ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve

Read Next

Pesë vendet që nuk kanë aeroportin e tyre