Një anije lundron ngadalë mes dy mureve shkëmborë tepër të ngushtë, duke kaluar përmes një vije uji të hapur në mënyrë artificiale. Pak centimetra ndajnë mjetin lundrues nga secili shpat, ndërsa pasagjerët në bord mrekullohen me këtë vepër inxhinierie.
Udhëtimet e para përmes Kanalit të Korinthit, një prej veprave infrastrukturore më domethënëse që ka parë njerëzimi, janë kryer në vitin 1893, por ideja për ndërtimin e tij është dhënë prej 2500 vitesh.
Kanali çan përmes një rripi të ngushtë toke në Korinth, që lidh Detin Jon me atë Egje, duke e kthyer gadishullin e Peloponezit praktikisht në një ishull e duke krijuar një rrugë detare kalimi që ka transformuar lundrimin në Europën e jugut.
Kalimi përmes këtij kanali u kursen anijeve 321 kilometra duke bërë të mundur arritjen e porteve shumë më shpejt. “Ka qenë një sipërmarrje tepër sfiduese”, thotë për CNN George Zouglis, menaxher i përgjithshëm i kompanisë që operon kanalin. “Pa dyshim ka qenë një prej arritjeve më të mëdha inxhinierike të kohës”.
Sot kanali është një destinacion mjaft popullor, i dyti më i vizituar në Greqi në ditët e sotme, sipas Zouglis. Sipas shifrave zyrtare, rreth 12 mijë anije turistike dhe tregtare nga 60 vende të ndryshme kalojnë çdo vit përmes kanalit.