Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është dënuar me 27 vjet e 3 muaj burg, pasi një panel prej pesë gjykatësish të Gjykatës Supreme e shpalli fajtor për drejtimin e një komploti për puç ushtarak, me qëllim që të mbetej në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2022.
Sipas BBC, katër nga pesë gjykatësit votuan për ta shpallur fajtor Bolsonaron, ndërsa vetëm një votoi në favor të pafajësisë. Dënimi u shqiptua pak orë pas shpalljes së fajësisë.
Avokatët e Bolsonaros e cilësuan vendimin si “të tepërt në mënyrë absurde” dhe njoftuan se do të paraqesin “apelet e duhura”.
Gjykata gjithashtu e ndaloi pjesëmarrjen e tij në zgjedhje ose poste publike deri në vitin 2033. Bolsonaro ndodhet aktualisht nën arrest shtëpiak, pas vlerësimit të rrezikut të largimit nga vendi. Ai nuk ishte i pranishëm fizikisht në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit.
Në deklaratat e mëparshme, Bolsonaro ka akuzuar drejtësinë braziliane se po organizon një “gjueti shtrigash” për ta ndaluar atë të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026 – zgjedhje në të cilat, për shkak të një vendimi të mëparshëm gjyqësor, ai tashmë nuk lejohej të merrte pjesë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dalë në mbështetje të Bolsonaros, duke e cilësuar ndjekjen penale ndaj tij si të motivuar politikisht. Si reagim, Trump ka vendosur një taksë 50% për mallrat braziliane, duke e quajtur një “hakmarrje” për atë që ai e sheh si përndjekje të padrejtë të një aleati të tij politik.