Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë thënë OKB-së se janë të gatshme të rivendosin sanksionet ndaj Iranit, nëse ky i fundit nuk rifillon negociatat me komunitetin ndërkombëtar për programin e tij bërthamor.
Ministrat e jashtëm të këtyre tri vendeve (të njohura së bashku si E3) i kanë shkruar OKB-së të martën për të ngritur idenë e “rivendosjes automatike të sanksioneve”, nëse Irani nuk ndërmerr masa. Ata thanë se i kanë ofruar Iranit një shtyrje afati për të shmangur rivendosjen automatike të sanksioneve më vonë këtë muaj.
“Ne kemi bërë të qartë se nëse Irani nuk është i gatshëm të arrijë një zgjidhje diplomatike para fundit të gushtit të 2025-ës, ose nuk shfrytëzon mundësinë e zgjatjes, vendet e E3 janë të gatshme të aktivizojnë mekanizmin e rivendosjes,” thanë ministrat në një letër, të cilën e ka dhe Financial Times.
Letra drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nënshkruar nga ministri francez i jashtëm Jean-Noël Barrot, ministri gjerman i jashtëm Johann Wadephul dhe ministri britanik i jashtëm David Lammy. Kjo ndodh dy muaj pasi SHBA-të dhe Izraeli goditën vende bërthamore në Iran.
Misioni iranian në OKB nuk ka dhënë menjëherë koment për letrën.
Gjatë mandatit të parë të Donald Trump-it në vitin 2018, presidenti amerikan u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e cila ishte arritur nga paraardhësi i tij Barack Obama me Teheranin dhe disa fuqi botërore. Kjo marrëveshje, e cila ende është në fuqi, vendosi kufizime të rëndësishme mbi programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Sanksionet e OKB-së skadojnë më 18 tetor, nëse ndonjë nga palët e mbetura si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina, nuk aktivizon mekanizmin “snapback” (mekanizmi i rivendosjes automatike).
Vendet e E3 i thanë Iranit në bisedimet në Turqi muajin e kaluar se mund të zgjaste afatin e rivendosjes në fund të gushtit, nëse Teherani pranonte rifillimin e bisedimeve me SHBA-të dhe bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike para shtatorit.
Një diplomat perëndimor tha se bisedimet ishin “të vështira”. Të martën, vendet e E3 thanë se oferta e zgjatjes “mbeti pa përgjigje nga Irani”.
Ministrat thanë se një “zgjatje e kufizuar” do të jepte më shumë kohë për bisedime që synojnë arritjen e një marrëveshjeje të re bërthamore, duke ruajtur mundësinë për të rivendosur sanksionet për të parandaluar përhapjen bërthamore.
Pas takimit në Stamboll në muajin korrik, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi i tha FT-së se vendet e E3 nuk kishin “arsye ligjore apo morale” për të aktivizuar mekanizmin “snapback”. Ai paralajmëroi se Irani do të përjashtonte fuqitë evropiane nga bisedimet e ardhshme bërthamore nëse ata vazhdonin me këtë proces.
Araghchi akuzoi vendet e E3 se nuk kishin përmbushur angazhimet e tyre në marrëveshje dhe tha se mekanizmi “snapback”, “nuk është më kaq i rëndësishëm”.
“Me evropianët, nuk ka arsye për negociata tani sepse ata nuk mund të heqin sanksionet, nuk mund të bëjnë asgjë,” tha Araghchi. “Nëse aktivizojnë ‘snapback’, kjo do të thotë se është fundi i rrugës për ta.”
Në letrën e tyre, ministrat e vendeve të E3 thanë se janë “qartësisht dhe pa ekuivok” të justifikuar ligjërisht, për të rivendosur sanksionet ndaj Iranit, sepse që nga viti 2019 Teherani “ka lënë vullnetarisht” angazhimet e tij sipas marrëveshjes.
Teherani ka thënë se mbetet i hapur për bisedime me administratën Trump. Por qëndrimi i tij u ashpërsua pas sulmit të Izraelit dhe 48 orë para se Teherani të zhvillonte raundin e gjashtë të negociatave indirekte me SHBA-të.
Araghchi tha se Irani dëshiron garanci nga SHBA-të që nuk do të sulmohet gjatë bisedimeve të ardhshme dhe kërkon “masa për ndërtimin e besimit”, përfshirë pranimin nga ana e SHBA-ve për të kompensuar Iranin për dëmet e luftës.
Irani njoftoi në qershor se pezullonte bashkëpunimin me IAEA-n, e cila ka pasur inspektorë në vend, pas luftës 12-ditore të republikës islamike me Izraelin. Një zyrtar i lartë i IAEA-s u takua me zyrtarë iranianë në Teheran të hënën, por mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së nuk ka komentuar mbi këtë vizitë./tvklan.al